Site icon PrishtinaPress

Kurti me ministra prezantojnë Pakon 75 milionëshe të BE’së, ku do të shkojnë mjetet

Pakoja 75 milionëshe e Bashkimit Evropian për Kosovën, si ndihmesë për zbutjen e krizës energjetike, është prezantuar sot nga Qeveria. Aplikimi për përfitim nga kjo pako do të hapet sot. Më shumë detaje se ku do të shkojnë këto mjete, dhanë Ministrja Artane Rizvanolli dhe Ministri Hekuran Murati.

 

Kryeministri Albin Kurti ka mbledhur sot kryetarët/përfaqësuesit e komunave për t’ua prezantuar pakon 75 milionëshe të Bashkimit Evropian për përballje me krizën energjetike për qytetarët që kursejnë energji elektrike dhe për grupet e cenueshme. Aplikimi për përfitim nga kjo pako do të hapet sot.

Kurti, i cili foli i pari, i cili tha se kjo pako është dizajnuar për të zgjeruar masat e Qeverisë.

“Ndihma e menjëhershme prej 75 milionë euro për Kosovën për ballafaqim me krizën energjetike është jetësim i kërkesave tona dhe i përkrahjes së BE për sektorin tonë energjetik. Këtë Pako Financiare jemi siguruar që ta dizajnojmë në një mënyrë të atillë që të zgjerojmë e të rrisim ndikimin e masave që i kemi marrë si Qeveri për ti përkrahur e mbrojtur qytetarët tanë nga përballja me krizën energjetike”, tha Kurti.

Ai deklaroi se në kuadër të kësaj pakoje, do të ketë edhe subvencionim për familjet që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj.

“Mbështetja jonë për qytetarët do të vazhdojë edhe pas vendimit të ZRrE ku do të subvencionojmë familjet për konsum të energjisë deri në 800 kilovatë në muaj kurse grupet e cenueshme siç janë familjet me asistencë sociale do të kenë trajtim të veçantë”, tha Kurti.

Detajet se ku do të shkojnë 75 milionët e BE’së dhanë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila theksoi se BE’ja për Kosovën ka ndarë shumën më të lartë për kokë banori në mes të gjitha vendeve të rajonit.

Rizvanolli tha se 15 milionë euro do të shkojnë për zbatimin e masave të eficienqës së energjisë, derisa tregoi se target-grup do të jenë sektorin rezidencial dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Subvencionimi do të bëhet për klima, kaldaja, stufa, frigoriferë e sisteme solare për ngrohje uji.

“Në kuadër të planit emergjent prej 75 milionë euro që përkrahet nga Bashkimi Evropian, Ministria e EKonomisë që nga ky vit do të fillojë zbatimin e masave të eficienqës së energjisë që kapin vlerën prej 15 milionë euro dhe target grup kemi sektorin rezidencial dhe ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme. Për sektorin rezidencial, pra për familjet do t’i subvencionojmë pajisjet ngrohëse eficiente, siç kemi bërë edhe vitin e kaluar, duke përfshirë këtu klimat, kaldajat, stufat, pra një vazhdimësi e thirrjes së kaluar. Pajisjet eficiente te tjera shtëpiake që kanë potencial për kursim të energjisë, siç janë frigoriferët e të tjera dhe sistemet solare, fotovoltaike dhe solare-termike për ngrohje të ujit”, tha Rizvanolli.

Rizvanolli shtoi se sivjet do të subvencionojnë për herë të parë pajisjet për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për pajisje ngrohëse efiçiente, teknologji eficiente të punës dhe sisteme solare fotovoltaike.

Ajo kërkoi nga kryetarët e komunave që t’i informojnë qytetarët për masat e qeverisë për subvencionimin e kursimit të energjisë elektrike.

“Është tejet e rëndësishme që ju të angazhoheni që qytetarët e komunave tuaja të jenë të informuar por edhe më me rëndësi se kjo të kenë përkrahjen e duhur për procesin e aplikimit për qytetarët që kanë nevojë për një ndihmë të tillë”- tha ajo.

Ministri Hekuran Murati foli lidhur me mbështetjen e grupeve të cënueshme, i cili tha se për këtë qëllim do të ndahen rreth 25 milionë euro.

Murati tha se këto para do të shkojnë edhe për të subvencionuar një pjesë të faturave të energjisë elektrike për këto grupe, në mënyrë që barra për ta të jetë sa më e përballueshme

“Masa tjetër ka të bëjë me mbështetjen e grupeve të cënueshme, që kryesisht janë familjet në skemën e ndihmës sociale, familjet e dëshmorëve të UÇK’së, familjet e viktimave civile, të zhdukurve, invalidët e luftës, personat e verbër, personat paraplegjik dhe tetraplegjik, që në tërësi janë rreth 35 mijë e 500 familje…Pra në tërësi edhe këtu parashihen 25 milionë euro për të mbështetur grupet e cënueshme dhe për të subvencionu një pjesë të faturave të energjisë elektrike për këto grupe, në mënyrë që barra për ta të jetë sa më e përballueshme dhe që ta tejkalojnë sa më lehtë këtë situatë të krizës energjetike”, deklaroi Murati.

Për Pakon 75 milionëshe të BE’së, foli edhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ai e konsideroi këtë si ndihmë të jashtëzakonshme.

“Fondi i siguruar prej 75 milion euro është mbështetje direkte nga BE dhe bashkëfinancim nga Republika e Kosovës. Për bizneset dhe qytetarët është ndihmë e jashtëzakonshme në situatën e pazakonshme me krizën me energjinë elektrike e cila ka krijuar vështirësi jo vetëm për vendet e Ballkanit por edhe në Evropë, kjo mbështetje ka kontribuar në lehtësimin e gjendjes ekonomike dhe financiare të bizneseve dhe qytetarëve”, tha Krasniqi.

Ky 75 milionësh është pjesë e fondit prej 1 miliard euro, të cilin Bashkimi Evropian ka vendosur ta ndajë për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si pako e mbështetjes për fushën e energjisë.

Se Kosovës do t’I ndaheshin këto para, e kishte paralajmëruar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila kishte vizituar Kosovën më 27 tetor.

“Ne do të finalizojmë të gjitha procedurat e nevojshme deri në fund të vitit që ju të mund të merrni fondin që në janar”, kishte thënë ajo në një konferencë të përbashkët pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Exit mobile version