Site icon PrishtinaPress

Kurti: Me kriminelë si Radojçiqi e Veselinoviqi bëhej marrëveshje për ta krijuar Qeverinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmendur nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiqin dhe biznesmenin Zvonko Veselinoviqin, të cilët janë në listën e zezë të ShBA-së, duke thënë se kohë më parë, partitë në pushtet i prisnin që ta formonin Qeverinë e Kosovës.

“Me kriminelë si Radojçiqi e Veselinoviq bëhej marrëveshje për të krijuar qeverinë e Kosovës e për të blerë qetësi në veri”, tha ai në një konferencë për media.

Sipas Kurtit, një situatë e tillë është e papranueshme për një shtet demokratik e evropian siç është Republika e Kosovës ku sundimi i ligjit është e padiskutueshme.

“Qeveria e Kosovës është e interesuar për bashkëpunim me të gjithë serbët që kanë të drejta e që duhet t’i shfrytëzojnë. Jemi qeveria më progresiste në rajon, duam që serbët t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre e të ulen pran nesh në kuvend e kabinet qeveritar. Këto mesazhe i kemi dërguar çdo ditë”, u shpreh Kurti.

Ai tha se Serbia për një kohë të gjatë po mban peng qytetarët serbë.

“Kemi toleruar shtyrje të zbatimit të vendimeve disa herë. Çdo shtyrje i skadon afati. Ne s’kemi hequr dorë nga vendimet që i kemi marrë. Unë ftoj të gjithë serbët të jetojnë e të qeverisin bashkë me neve”, theksoi Kurti./Prishtinapress/

Exit mobile version