Kryeministri Albin Kurti ka insistuar me muaj të tërë që marrëveshja bazike Kosovë-Serbi, aneksi i Ohrit dhe së fundi edhe propozimi europian për Asociacionin të nënshkruhen, në mënyrë që të garantohet zbatimi i tyre. Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se s’do të nënshkruajë me Kosovën, duke e përdorur arsyetimin e famshëm se “po i dhemb dora dhe se dhimbjet s’do t’i ndalen edhe në 4 vitet e ardhshme”. Emisari Lajçak dhe ekipi i tij duket se janë duke tentuar ta gjejnë një zgjidhje për këtë kërkesë. Sllovaku thotë se ia ka ofruar Kosovës disa opsione pa treguar më shumë, ndërsa Kurti doli sot me një ofertë tjetër.
Këmbënguljen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë Marrëveshjen e Ohrit për të nisur me zbatimin e saj, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit, emisari i BE-së i ngarkuar me dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se po e sheh të panevojshme.
Sipas Lajçak, çështja e Asociacionit është diçka e brendshme e Kosovës dhe s’duhet nënshkrimi i Serbisë. Këto komente të Lajçakut çuan në reagimin e Kurtit, I cili tha se meqë drafti statuti “na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës” atëherë ai mund ta shkruajë një në vitin e ardhshëm.
Kurti sërish tregoi se e ka seriozisht punën e nënshkrimit duke ia rikujtuar Brukselit edhe kohën dhe rastin kur mund të nënshkruhen marrëveshja dhe aneksi.
Ai përmendi Samitin e Këshillit Evropian që mbahet më 21 dhe 22 mars të vitit të ardhshëm.
Por, çfarë është duke bërë BE për insistimin e Kurtit për të nënshkruar?
Lajçak në një intervistë për Gazetën Express të publikuar dje ka thënë se ekipi i tij ia ka ofruar disa opsione negociatorëve kosovarë dhe se diskutimet janë duke vazhduar.
“Ekipi im e ka shqyrtuar edhe një herë çështjen e formalizimit sipas kërkesës së Kosovës, si dhe i kemi ofruar Kosovës disa opsione në këtë drejtim dhe aktualisht po presim përgjigjen e tyre. Kryeministri Kurti kërkoi që Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, Aneksi i saj, si dhe Statuti, të nënshkruhen nga Kosova dhe Serbia. Ne e respektojmë këtë kërkesë dhe e kemi shqyrtuar sërish këtë çështje. Pas konsultimit me juristë ndërkombëtarë, ne kemi ofruar opsione për Kosovën. Diskutimi ynë për këtë temë vazhdon”, tha Lajçak dje për Express.
Emisari I BE’së thotë se në tetor Kryeministri Kurti, kur Kosova dhe Serbia u pritën në takime të ndëra ka Presidenti I Francës, Kancelari I Gjermanisë dhe Kryeministrja e Italisë, ka kushtëzuar pranimin e statutit europian me nënshkrim. Po ashtu ka përmendur edhe disa kërkesa nga Serbia për sqarime të mëtejme, të cilat sipas tij janë bërë sebep që të mos nisë zbatimi.
“Në tetor, të dy liderët shprehën gatishmërinë e tyre në parim për ta pranuar Draft-Statutin evropian për themelimin e Asociacionit. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Kurti e kushtëzoi pranimin e Statutit me nënshkrimin nga Kosova dhe Serbia të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, aneksit të saj, si dhe të vetë Statutit. Në të njëjtën kohë, Serbia ka paraqitur pyetje shtesë për sqarim. Kështu pra, aktualisht zbatimi është në pritje për shkak të këtyre kërkesave nga palët, dhe po punojmë fort për t’i adresuar ato në cilësinë tonë si lehtësues” ka theksuar ai. Lajçak gjithashtu tha se çështja e nënshkrimit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit veç ishte temë gjatë negociatave në Ohër në muajin mars, ku asnjë opsion i propozuar për nënshkrim nuk ishte i pranueshëm për të dyja palët.
“Prandaj, me pëlqimin e të dyja palëve, e formalizuam marrëveshjen përmes një deklarate të Përfaqësuesit të Lartë”.
Ai thotë se kjo është plotësisht në përputhje me Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve.
“BE-ja e ka thënë publikisht shumë herë se Marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme dhe valide. Në këtë kontekst, do të duhej ta përsërisja qëndrimin e BE-së, por edhe të SHBA-së, se çështjet formale – siç është mënyra e miratimit – nuk duhet ta pengojnë procesin e zbatimit. Në fund të fundit, palët do të vlerësohen në bazë të rekordit të zbatimit, jo të mënyrës së formalizimit. Mungesa e nënshkrimit nuk është arsyeja që e pengon zbatimin – por është mungesa e vullnetit politik”.
Ndërkohë, Kryeministri Kurti si reagim ndaj përgjigjeve të Lajçak për Gazetën Express doli me një reagim në Facebook duke kërkuar që BE dhe Lajcak të mos I bëjnë presion Kosovës, por të merren më shumë me Vuçiqin, Dodikun, Bërnabiqin dhe Radoiçiqin.
Reagimi I plotë i Kurtit.
Normalizimi i Marrëdhënieve drejt vitit 2024
1) Prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës është siguria për Kosovën, integriteti territorial i shtetit dhe jeta e mirëqenia e qytetarëve pa dallim.
2) Konluzionet e hetimeve për sulmin terrorist e kriminal të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku, duhet të bëhen publike menjëherë. Millan Radojçiq dhe pjesëtarët e grupit të tij paramilitar duhet t’i dorëzohen autoriteteve të Kosovës.
3) Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe ShBA-të do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht Presidentit të saj Aleksandar Vuçiq, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të 14 dhjetorit).
4) Kërkesa ime është që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të BE-së dhe ShBA-ve, dhe vendit tonë t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE e Partneriteti për Paqe me NATO. Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte obligimin e njohjes de facto të Kosovës.
5) Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal).
6) Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024.
7) Besoj që Brukseli dhe emisari evropian Lajçak do të merren shumë më tepër me Presidentin e Serbisë Vuçiq që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e Dodikut, Mandiqit e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Bërnabiq), në vend se të na bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike.