Site icon PrishtinaPress

Kurti: Me keqardhje po e pranoj sot dorëheqjen e Nenad Rashiq

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është deklaruar para mediave ku tha se me datën 2 prill ka emëruar për Këshilltarë Politik dhe Drejtor të Zyrës për Komunitete, Nenad Rashiq , i cili është edhe kryetar i Partisë Progresive Demokratike, me të cilin njihet prej shumë vitesh.

“Nga Kuvendi i Republikës kur Rashiq ka qenë në funksione ekzekutive, por gjithashtu edhe nga takime të shumta që kemi pasur gjatë këtyre viteve prej se veprojmë në institucione të vendit. Mund të them se gjithmonë e kam çmuar dhe vazhdoj ta çmojë për korrektësinë e tij dhe profesionalizmin. I bindur se ka dhënë kontribut edhe për Kosovën edhe për qytetarët e përkatësisë kombëtare serbe në Kosovë, por edhe për të gjithë pa dallim, kësisoj pata vendosur ta emëroj këshilltarë politik, mirëpo ende pa u bërë dy javë prej emërimit të tij atij iu ngrit një aktakuzë nga Prokuroria Speciale në Kosovë dhe në këtë mënyrë u cenua funksioni që ai ushtronte, unë besoj në pafajësinë e z.Rashiq dhe janë të vjetra sikurse regjimi i vjetër i cili nuk preferon të largohet nga sundimi me Kosovën dhe gjithashtu bëhet fjalë për aktakuzën të cilën krerët e çështjes nuk ndodhen me emrat e tyre në aktakuzat që ngritën, pra gjithmonë kemi personat të cilët kanë qenë aty në rrethin e tretë apo të katërt të caktuar, por thelbi i problemit gjithmonë evitohet. Prandaj si zakonisht në këto aktakuzat e vjetra të shtetit të kapur të Kosovës, më e vlefshme është të shihet se cilët emra mungojnë, se sa cilët mund t’i lexojmë aty”, tha Kurti.

Kurti tha se Rashiq e ka dorëzuar sot dorëheqjen e tij nga pozita e këshilltarit politik dhe e drejtorit të zyrës për komunitete dhe e ka pranuar dorëheqjen e tij.

“Me keqardhje por kuptoj situatën në të cilën ndodhemi dhe kam shprehur falënderimin tim për punën veçse tri javore të përbashkët, gjatë të cilës Rashiq ka dorëzuar programin se si ai e mendon zhvillimin dhe avancimin e zyrës për komunitete dhe metodologjinë e mbështetjes për komunitete”, tha Kurti.

Exit mobile version