Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për martesat e hershme të vajzave nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian.
Në një konferencë të sotme, ai tha se ky fenomen është i dëmshëm për vajzat e reja që martohen dhe humbasin mundësinë e tyre në arsim.
“Kemi parë se sa e dëmshme është si fenomen për vajzat e reja që martohen dhe e humbasin mundësinë e tyre në arsim, për fëmijët e tyre eventual dhe kësisoj për familjet e tëra. Është fenomen përgjithësisht i fshehur mirëpo shifrat e UNICEF-it me agjencinë e statistikave prej vitit 2020 na tregojnë që në grupmoshën 20-24 vjeçe, 31 për qind e grave dhe vajzave rom, ashkali dhe egjiptian kanë qenë të martuara nën moshën 18-vjeçare. Kjo nënkupton se qindra vajza çdo vit që kanë të drejtat dhe mundësit e tyre për të ardhmen e tyre, janë të dëmtuara rëndë”.
Kurti tha se ka lagje të caktuara ku çdo e treta vajzë martohet e re si fëmijë.
“Ky nuk është problem në masë të njëjtë në çdo rajon të Kosovës. Ka komuna që vajzat e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian janë bërë shembuj për vijueshmërinë në shkolla të mesme e fakultete dhe marrin pjesë në aktivitete, por ka lagje të caktuara ku çdo e treta vajzë martohet e re si fëmijë. Edhe në këto lagje ka aktiviste të komuniteteve që angazhohen për luftimin e kësaj dukurie. Kështu është edhe ideja e krijimit të grupit punues ndërinstitucional për raportimin dhe parandalimin e martesave të hershme që kemi krijuar me vendim të qeverisë para gjashtë muajsh. Përgëzoj anëtarët e grupit për punën që e kanë bërë deri më tani në hartimin e një plani të qartë dhe ambicioz të veprimit dhe përkushtimit në zbatimin e planit deri më sot”, u shpreh Kurti