Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vizituar sot Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës, ndërsa duke folur rreth marrëveshjes së nënshkruar në Berlin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell për linjën e fluturimeve Prishtinë – Beograd tha se janë për një bashkëpunim rajonal por ky bashkëpunim sipas tij duhet t’i ketë parasysh kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në Kosovë si dhe të ketë rentabilitet ekonomik.
Kurti i shoqëruar nga ministri në detyrë, Lumir Abdixhiku më tej tha se ajo nuk është marrëveshje në kuptimin e plotë, por më shumë shprehje e interesit që duhet të kalojë në shumë hapa tjerë për tu bërë marrëveshje dhe për shkak të pandemisë COVID-19 shumë aktivitete, duke përfshirë edhe këtë kanë mbetur.
“Si qeveri e Republikës së Kosovës duam që ta forcojmë shtetin e Kosovës dhe Autoriteti i aviacionit civil është tejet i rëndësishëm për neve”, tha Kurti.
Duke folur rreth marrëveshjes së nënshkruar në Berlin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell për linjën e fluturimeve Prishtinë – Beograd ai tha se e din vetëm versionin final të marrëveshjes që i është prezantuar me vonesë, atëherë kur negocimi dhe draftimi kishin përfunduar.
“Mund të themi se ne jemi për sa më shumë bashkëpunim rajonal. Mirëpo ky bashkëpunim rajonal duhet të ketë parasysh dy gjëra themelore: kushtetutshmëria dhe ligjshmëria në Kosovë dhe e dyta është rentabiliteti ekonomik”, tha ai, duke shtuar se më shumë është shprehje e interesit sesa marrëveshje.
Ai tha se duhet të kalojë në shumë hapa tjerë për tu bërë marrëveshje.
Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Aviacionit Civil të Kosovës, Arianit Islami tha se e kanë njoftuar Kurtin për çështjet që e përcjellin Autoritetin e aviacionit civil, si agjenci shumë e rëndësishme për ekonominë dhe sigurinë e transportit ajror.
“Sot e kishim për herë të parë në vizitë një kryeministër të Kosovës që nga themelimi i Autoritet të aviacionit civil dhe ardhja e tyre është një nder dhe na motivo që të punojmë më shumë”, tha ai.
Ai tha se i tregoi sfidat me të cilat ballafaqohet ky institucion shumë i rëndësishëm për mbikëqyrjen e sigurisë së fluturimeve.
“Do të kemi bashkëpunim edhe më të ngushtë me qeverinë dhe operatorët që të sigurohemi që të kemi sa më shumë trafik dhe njëherit edhe të gjitha fluturimet të jenë të sigurta dhe të nivelit evropian”, tha ai.
Duke folur për marrëveshjen për linjën e fluturimeve Prishtinë-Beograd, ai tha “Nuk kam për të shtuar më shumë… janë bisedime që duhet të vazhdojnë më tutje për zbatim të një marrëveshje që është në pajtim edhe me qeverinë”.