Site icon PrishtinaPress

Kurti: Liritë dhe të drejtat kanë rregulla, t’i respektojmë ato gjatë udhëtimeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një urim të veçantë për të gjithë qytetarët e vendit pas heqjes së regjimit të vizave, i cili mundëson lëvizjen pa pengesa në zonën Shengen.

Në një njoftim të publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, Kurti ka theksuar se, edhe pse heqja e vizave nuk ishte një premtim i qeverisë së tij, e njëjta është realizuar me sukses.

“Edhe pa premtuar, e bëmë të mundur. Liberalizimi i vizave tashmë është realitet. Për të shënuar këtë hap të madh, sot unë dhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, dëshmuan nisjen e avionit të parë nga Prishtina që fluturon pa viza në bukurinë e Vjenës,” tha Kurti në postimin e tij.

Kryeministri u bëri apel qytetarëve të Kosovës që të ruajnë një nivel të lartë të përgjegjësisë gjatë udhëtimeve të tyre ndërkombëtare, duke iu nisur rregullave të vendosura.

“Çdo liri dhe e drejtë vjen me përgjegjësi dhe rregulla. Kërkohet respekt për to në udhëtimet që ndërmarrim në hapësirën Shengen, si një dëshmi e përgjegjësisë sonë si qytetarë dhe si mënyrë për të nderuar shtetin tonë. Kudo që ne të shkojmë, le ta mbajmë mend që shtëpia jonë është gjithmonë Kosova. U uroj të gjithë qytetarëve një Vit të Ri të lumtur 2024 dhe për herë të fundit, urime për liberalizimin e vizave,” përfundoi Kurti.

Ky zhvillim historik vjen si një lajm i mirëpritur nga kosovarët që tashmë do të kenë mundësinë të shijojnë lëvizje të lirë në shumë vende të kontinentit evropian, duke hapur kapituj të rinj të mundësive për udhëtim, arsimim dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Exit mobile version