Site icon PrishtinaPress

Kurti lëvdohet para përfaqësuesve të FNM-së, përmendet rënia e “dukshme” e inflacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, priti në takim gjatë ditës përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Kurti i uroi mirëseardhje ekipit si dhe i falënderoi ata për bashkëpunimin e frytshëm, njoftoi Zyra e Kryeministrit, transmeton Paparaci.

Sipas ZKM-së, projektet e përbashkëta me FMN-në ishin në fokus të diskutimit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës u vlerësua për zhvillimin ekonomik në dy vitet e fundit. U theksua se të hyrat buxhetore janë rritur rreth 15% ndërkaq niveli i inflacionit ka rënë dukshëm, në vetëm 2.8% në muajin qershor”, thuhet në njoftim.

“Kryeministri nënvizoi se sipas të dhënave të ATK-së, për herë të parë ekonomia jonë ka mbi 400,000 pozicione të regjistruara të fuqisë punëtore aktive. Duke shërbyer kështu si dëshmi e suksesit të politikave tona të punës dhe ekonomike që kanë ndihmuar gratë, njerëzit me aftësi të kufizuara, sipërmarrësit dhe të tjerët të jenë pjesëmarrës të suksesshëm në fuqinë punëtore”.

Tutje u bë e ditur se përfaqësuesit e FMN-së thanë se duke pas parasysh këto të dhëna dhe zhvillime, Kosova ka një të ardhme të ndritur përpara.

“Ata gjithashtu u shprehën falënderues për bashkëpunimin e mirë ndërmjet FMN-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Delegacioni nga FMN kryesohej nga Zëvendësdrejtori i Departamentit për Evropë të FMN-së, Mark Horton. Ai shoqërohej nga drejtuesi i misionit të FMN-së në Kosovë, Gabriel di Bella dhe ekipet e tyre përkatëse”, përfundon kumtesa e ZKM-së, dërguar mediave.

Exit mobile version