Kryeministri Kurti ka dhënë detaje për vizitën që po zhvillon në Greqi.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se titulli i simpoziumit që u mbajt në Kretë ishte “Cila botë në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus?”, duke treguar se çka u trajtua aty.
““Cila botë në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus?”, është titulli i simpoziumit kësaj radhe. Në panele të veçanta me prezantime të mençura e diskutime të thella sipas Chatham House Rules po trajtohen tema e çështje të shumta: nga agresioni rus i papërfunduar në Ukrainë te pasojat e pamatshme të pandemisë Covid-19, nga demokracia dhe ligji në Ballkanin Perëndimor te siguria dhe burimet në Mesdheun Lindor, nga rritja ekonomike e gjelbër te përshpejtimi i Inteligjencës Artificiale, nga autonomia industriale evropiane te raporti i Evropës dhe ShBA-ve me Jugun Global, nga demokracia pjesëmarrëse dhe fushatat politike te një humanizëm i ri për shoqëri të pavdekshme”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka njoftuar se ka zhvilluar një bashkëbisedim me ish kryeministrin e Greqisë, George Papandreou, të cilit tha se i ka treguar për “të arriturat e Kosovës dhe planet e qeverisë sonë, për zhvillimin dhe reformat, për Fondin Sovran dhe Arsimin Profesional, për drejtësinë sociale e ligjore dhe për historinë e luftës në të tashmen e paqes, për të kalurën time prej aktivisti e opozitari te fqinjësia e mirë e Kosovës që refuzohet nga Serbia”.
“Filli që përvijohej në debate e shqyrtime anonte kah guximi i përbashkët teksa ëndërrojmë të ardhmen me numra jubilar vitesh, si dhe mbetej te shpresa gjersa të gjithë shqyrtojmë rreziqet e mundshme në vijim.”