Site icon PrishtinaPress

Kurti kujton Mon Balajn dhe Arben Xheladinin në 17-vjetorin e vrasjes së tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar dy të vrarët në protestën e VV-së 17 vite më parë, Mon Balajn dhe Arben Xheladinin.

Kurti kujtoi se si ishte ajo ditë për të gjithë protestuesit e Vetëvendosjes, çfarë qëllimi kishin dhe se si u sulmuan nga UNMIK-u.

Po ashtu Kurti tha se atë ditë ata po kërkonim vetëvendosje për popullin e Kosovës, drejtësi e barazi për qytetarët e saj, si dhe republikë të mirëfilltë demokratike si shtet sovran.

“Atë ditë, e shtunë sikurse sot, 17 vjet më parë, në të drejtën tonë, ecnim drejt ne anëtarët e VETËVENDOSJE!-s, për të drejtën e popullit për vetëvendosje, për liri me të drejta, për pavarësi me sovranitet, për shtet me demokraci”.

“Atë ditë, pasi gjatë ditëve paraprake e patëm kundërshtuar duke e kritikuar nëpër forume dhe debate publike, ne po e kundërshtonim me protestë paqësore decentralizimin që krijonte komuna mbi baza etnike; zonat eksterritoriale që i serbizonin manastiret dhe kishat ortodokse; shuarjen e plotë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës; përfshirjen e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë; veton jodemokratike të deputetëve me ulëse të garantuara dhe të rezervuara në Kuvendin e Kosovës; dhe vazhdimin e administrimit ndërkombëtar në Kosovë me fuqi ekzekutive mbi ne e pa llogaridhënie ndaj nesh”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Dhe pikërisht atë ditë, më 10 shkurt 2007, kjo rrugë e jona, rruga e Kosovës, u mbulua nga gazi lotsjellës i hedhur nga policët e atëhershëm ndërkombëtarë të UNMIK-ut. Atë ditë, ajri i sheshit qendror të Prishtinës u mbush me tym, kurse toka e tij u mbush me plumba gome madhësish të ndryshme që u hodhën në drejtim të protestuesve, në shpërputhje me protokollet e përdorimit të tyre në turma. Gjithsej 232 plumba i goditën protestuesit, nga të cilët, dy u vranë, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, kurse 80 protestues të tjerë u plagosën rëndë dhe lehtë. Atë ditë, Moni dhe Arbeni ranë dëshmorë në shesh të kryeqytetit, ku sheshazi e bashkë po kërkonim vetëvendosje! Atë ditë, protestuesit i bartën trupat e tyre, kurse nga ajo ditë e deri sot, ne i bartim kujtimet tona për ta, në të cilat rrijnë të ngarkuara të gjitha idealet politike të përbashkëta jo vetëm të asaj dite. Atë ditë dhe në ditët në vijim e deri sot, policët ndërkombëtarë që shtinë mbi protestuesit, u mbrojtën nga imuniteti ndërkombëtar. Por si atë ditë, si sot, si nesër, askush, asnjëherë, nuk mund të ketë imunitet para drejtësisë!”.

“Atë ditë, ne po kërkonim vetëvendosje për popullin e Kosovës, drejtësi e barazi për qytetarët e saj, si dhe republikë të mirëfilltë demokratike si shtet sovran. Atë ditë ne ishim të përcaktuar për vetëvendosje dhe demokraci, këmbëngulës për drejtësi e barazi dhe të bindur për republikë e për integritet”.

“Lavdi Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, mes përkujtimeve për protestën e 10 shkurtit 2007 dhe mes dëshmorëve të tjerë të kombit!”.

Exit mobile version