Site icon PrishtinaPress

Kurti krenar që Kosova është rreshtuar me shtetet që po ndihmojnë përpjekjen për liri të popullit ukrainas

Mbrëmë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në koncertin “Melodia e Lirisë”, që është e pjesë e përkujtimeve që gjatë këtij viti po zhvillohen në jubileun e çlirimit nga pushtimi nazifashistë, të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, nën interpretimin e Orkestrës Frymore e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Në prani të shumë të ftuarve në këtë koncert, Kurti theksoi se fashizmi, në të gjitha variantet e tij, ishte një e keqe e madhe, e keqja absolute që i kundërvihej humanizmit dhe iluminizmit, që ishin pjesa më e vyer e trashëgimisë kulturore evropiane. Ai tha se pushtimi fashist i Evropës ishte një sprovë për vlerat themelore të qytetërimit si i tillë.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti kujtoi ndihmën e popullit shqiptar për të strehuar dhe mbrojtur ata hebrenj që përndiqeshin në vende të tjera dhe nuk i dorëzoi te pushtuesi, duke theksuar po ashtu se populli shqiptar dha ndihmesën e tij në luftën me armë në dorë

kundër nazifashizmit.

“Të rënët shqiptarë në Luftën e Spanjës, Mujo Ulqinaku qysh në vitin 1939, të zhdukurit shqiptarë në kampet e shfarosjes e deri tek ata që ranë në Sanxhak e në Bosnje në vitin 1945 duke ndjekur këmba këmbës nazistët, janë dëshmorët tanë, pra ata që dëshmojnë më së miri rreshtimin tonë kundër fashizmit. Ata nuk janë harruar dhe ne i kujtojmë gjithnjë”, tha ai.

Kurti tha se ndihet krenar që Kosova është rreshtuar me shtetet që po ndihmojnë përpjekjen për liri të popullit ukrainas, nga një tjetër fashizëm, por gjithsesi fashizëm, nga fashizmi rus e që ka lidhje të shumta e ndikim të fuqishëm edhe në rajonin tonë, në fqinjësinë tonë.

Në fund të fjalës, ai shprehu përkushtimin e qeverisë që drejton për marrëdhënie sa më të ngushta e vëllazërore me Republikën e Shqipërisë.

“Qeveritë dhe institucionet e tjera publike të dy shteteve tona e kanë detyrë të bashkëpunojnë sa më ngushtë për interesin e kombit shqiptar dhe në frymën e integrimeve mbarevropiane”, tha kryeministri.

Exit mobile version