Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Republika e Kosovës është një zgjedhje ideale për investitorët. Vendndodhja jonë gjeografike, rinia e talentuar dhe qeveria e pastër krijojnë mundësi të shumta për të qenë pjesë e projekteve transformuese.
Kryeministri Kurti në përvjetorin e 9-të të themelimit të Këshillit të Investitorëve Evropianë, tha se rruga jonë është evropiane.
“Vendi ynë është padyshim evropian. Qeveria jonë është me gjithë zemër e përkushtuar ndaj vlerave evropiane siç janë demokracia dhe sundimi i ligjit, dhe integrimit në organizatat evropiane si BE-ja dhe Këshilli i Evropës. Dhe ajo që vijon është vlerësimi dhe përkushtimi ynë i shumëfishtë: ne e vlerësojmë dialogun publiko-privat si një mjet për politika më të mira, ne i drejtohemi shoqatave të biznesit si aktorë dhe partnerë për ndryshim dhe mirëpresim kapitalin evropian si forcë lëvizëse për rritjen ekonomike në Kosovë.” tha Kryeministri Kurti, në shënimin e përvjetorit të 9-të të themelimit të Këshillit të Investitorëve Evropianë.
Duke uruar Këshillin për këtë ditë të veçantë, Kryeministri Kurti foli për mundësitë të cilat Republika e Kosovës i ofron, potencialin zhvillimor, punën dhe arritjet e Qeverisë.
Ai theksoi se Qeveria ka marrë përsipër të kryejë reformat në mënyrë transparente dhe demokratike, duke përfshirë angazhimin në dialog të rëndësishëm me sektorin privat. Shoqatat e biznesit si Këshilli i Investitorëve Evropian marrin pjesë në konsultime dhe seminare, të cilat i hartojmë me kujdes për të inkurajuar komunikimin dhe për të informuar vendimmarrjen.
“Republika e Kosovës është një zgjedhje ideale për investitorët. Vendndodhja jonë gjeografike, rinia e talentuar dhe qeveria e pastër krijojnë mundësi të shumta për të qenë pjesë e projekteve transformuese”, shtoi Kryeministri Kurti.
“Rruga jonë është e qartë. Është ajo evropiane. Dhe ne ecim në këtë mision së bashku,” tha Kryeministri Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.