Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Turqisë në Kosovë, në shënim të Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar të Turqisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shprehu konsideratat e popullit të Kosovës ndaj vendit dhe popullit turk.
Kosova te Turqia shikon një shtet aleat dhe një popull mik, me të cilin kemi lidhje të ngushta historike, marrëdhënie të sinqerta dhe të dobishme në shumë plane në të tashmen, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.
Ai shtoi se edhe për të ardhmen, populli i Kosovës dhe ai i Turqisë ndajnë perspektivën e paqes së qëndrueshme në rajonin e Ballkanit, të integrimeve në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si edhe të zhvillimit ekonomik e social.
Ai shprehu mirënjohjen ndaj presidentit Erdoğan për mbështetjen që i ka dhënë anëtarësimit të shpejtë të Kosovës në NATO, si një veprim i denjë që do t’i shërbente sigurisë dhe paqes në Ballkan dhe në botë.
Turqia mbetet një partner strategjik i Kosovës dhe qeveria e Kosovës është e përkushtuar në vijimin dhe në zgjerimin e bashkëpunimeve ekonomike e kulturore dhe sociale mes dy vendeve, theksoi kryeministri Kurti.