Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka konfirmuar se sot do të zhvillojë takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Këto komente Kurti i bëri pas takimit me përfaqësuesit e sindikatave të Kosovës.
Ai u shpreh i bindur se do të tejkalohen dallimet me LDK-në, duke mundësuar arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë.
“Në jemi në komunikim të vazhdueshëm si dy parti që do ta formojnë Qeverinë e re. Po do të ketë takim sot. Në këto takime do të vazhdojmë aty ku kemi mbetur. Do të arrimë marrëveshje e me zotin Mustafa, do t’i tejkalojmë të gjitha pengesat e vogla që i kemi”, ka thënë Kurti.
Takimi pritet të mbahet në ora 17:00.
Takimi i fundit mes Kurit dhe Mustafës ishte më 2 dhjetor ndërsa dy partitë e para ende nuk kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion.
Bisedimet kanë ngecur te posti i presidentit për të cilin Vetëvendosje konsideron se nuk duhet të ketë një marrëveshje, ndërsa LDK thuhet se i takon asaj.