Qytetarët e Kosovës deri më tani vetëm kanë dëgjuar që Franca dhe Gjermania i kanë propozuar liderëve tanë dhe atyre të Serbisë një plan për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet të dyja shteteve.
Ndonëse kryeministri Albin Kurti dje për herë të parë i hapi letrat dhe për dallim nga zëvendësi i tij konfirmoi se nuk e ka kundërshtuar, duke thënë se ky propozim është një bazë e mirë, pavarësisht faktit që plani nuk e përmban njohjen e ndërsjellë dhe Kosovës nuk i siguron as ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ai nuk ka treguar se çfarë në realitet ka pranuar.
Kurti po vazhdon të jetë jotransparent para qytetarëve të tij se çka saktësisht përmban ky plan i hartuar nga gjermanët dhe francezët, shkruan Demokracia.com.
Ai u mjaftua duke thënë se është një hap në drejtim të duhur, pasi konceptet dhe nocionet që përdoren janë vlera pa dallim prej dakordësive të mëparshme, që ishin ideologji e zgjidhjes së problemeve.
Megjithatë, për qytetarët e Kosovës plani franko-gjerman po vazhdon të mbetet ende vetëm një term i përdorur kudo nëpër studio televizive, pa ditur gjë për të.
Të hënën e 7 nëntorit, Kurti e dha versionin e tij sesi erdhi puna deri te ky propozim. Ndonëse zëvendësi i tij tha se propozimi më shumë i afrohet qëndrimit të Serbisë, Kurti tregoi se e ka pranuar, por Vuçiq e ka refuzuar dhe tani po bën “drama”.
Ky është rrëfimi i Kurtit i dhënë në mënyrë kronologjike.
“Gjithçka nisi më 18 gusht”, thotë kryeministri Kurti, pasi vendosi ta tregojë qëndrimin e tij rreth propozimit franko-gjerman.
Jo shumë javë më parë, vetë ai e kishte mohuar ekzistencën e një propozimi të tillë dhe më pas ka thënë se “s’ka asgjë të ngurtësuar”.
Ndërsa, dje tha se propozimi i ashtuquajtur franko-gjerman është një “bazë e mirë” për të ecur përpara.
Qëndrimin e parë për propozimin nga Parisi e Berlini e kishte bërë zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, gjatë paraqitjes së tij në një konferencë të mbajtur në Beograd, në të cilën ishte paraqitur nëpërmjet internetit, pasi policia serbe nuk e kishin lejuar të shkonte aty. Bislimi kishte thënë se ky propozim më shumë i afrohet qëndrimit të Serbisë sesa të Kosovës, por tani po rezulton e kundërta, sipas Kurtit.
Para se të vinte te kjo, Kurti tha se ngjarjet në veri të vendit, me serbët që po i braktisin institucionet e Kosovës, kanë origjinën te mospranimi i propozimit franko-gjerman nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
“Unë e thash shumë qartë, nuk është për të mos e pranuar, por për ta maskuar refuzimin e planit. Pra, ata [pala serbe] e kanë refuzuar planin, e kanë refuzuar propozimin. Dhe, tani i bëjnë këto drama…”, ka thënë Kurti.
Për planin franko-gjerman, kryeministri thotë se është i bazuar në vlera.
“Ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur, meqenëse ato nocionet që përdorën, janë vlera. Për dallim prej dakordimeve të mëhershme, që ishin përbrenda – le ta quajmë – ideologjisë së zgjidhjeve të problemeve”, tha ai.
Për propozimin që ka marrë emrin si “franko-gjerman”, diplomatët amerikanë dhe evropianë kanë nisur të flasin haptazi. Kështu, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borell, rishtas tha se plani i ishte dorëzuar Kosovës dhe Serbisë para verës.
“Para verës ne ua prezantuam planin të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës, në mënyrë që të tejkalojmë krizën permanente. Kemi kërkuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe u jam shumë falënderues Gjermanisë dhe Francës për këtë propozim. Kemi marrë përgjigje nga të dyja palët, po i studiojmë dhe ky është një rast i mirë që ata duhet ta shfrytëzojnë, në mënyrë që raportet mes Prishtinës dhe Beogradit të bëhen më normale le të themi”, tha Borell.
Por, kryeministri Kurti pikënisjen e kësaj çështjeje e konsideron në një moment tjetër. Ai thotë se gjithçka nisi më 18 gusht, kur ai u takua me presidentin serb Aleksandër Vuciq në Bruksel.
“Tash jemi tek vlerat dhe unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur. Gjithçka ka filluar më 18 gusht, kur në takimin në Bruksel, në kuadër të agjendës, pika e parë është korniza e përgjithshme e marrëveshjes”, shtoi Kurti.
Këtu, ai nuk la pa provuar që t’i zhvlerësojë edhe paraardhësit e tij politikë, duke thënë se deri para 18 gushtit “nuk kemi pasur dialog për marrëveshje”.
Kreu i ekzekutivit kosovar tha se më 9 shtator, dy javë pas takimit i erdhën në zyrë dy këshilltarë, njëri i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, si dhe tjetri i presidentit francez, Emmanuel Macron, për t’ia sjellë një “përmbledhje modelesh e idesh”.
Atë përmbledhje, Kurti thotë se e ka pranuar dhe nuk e ka refuzuar, ndonëse ka pasur disa vërejtje dhe kritika, të cilat ua ka shprehur përfaqësuesve franko-gjermanë.
“Më 9 shtator, ende pa u bërë një muaj, patën ardhur në zyrën time këtu, këshilltarët e lartë të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron. Ata kanë sjellë përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar, po u kam thënë se janë bazë e mirë”, ka thënë Kurti.
Sipas kryeministrit, propozimi franko-gjerman është refuzuar nga Vuciqi, pas një mbledhjeje që e ka pasur ai me Këshillin për Sigurinë Kombëtare të Serbisë.
Si pasojë, Kurti shprehet i bindur se Vuçiq po e manifeston refuzimin me projektim të destabilizimit të Kosovës.
Sipas kryeministrit Kurti, thirrjet për largim të qytetarëve serbë nga vendet e tyre të punës në institucionet publike të Kosovës nuk rrjedhin nga mospranimi i konvertimit të targave, as nga qortimet për to dhe as nga shkarkimi i Komandantit të Policisë Rajonale të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, që refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë.
Sipas tij, gjithçka rrjedh nga mospranimi i planit franko-gjerman nga Serbia.