4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Kurti kërkon të korrigjohet “padrejtësia”, Brukseli do 100 për qind deeskalim për t’i hequr sanksionet

Bashkimi Evropian nuk do t’ia heqë Kosovës sanksionet, edhe pas zvogëlimit të numrit të policëve përreth komunave veriore. Sipas BE-së, duhen edhe hapa të tjerë për t’ia hequr masat ndëshkuese, të cilat iu vendosen Kosovës pas tensionimit të situatës në veri, që nisi në maj, me futjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe.

“Këta (reduktimi i prezencës së Policisë te komunat veriore), janë hapa në drejtim të duhur, por janë të nevojshëm edhe hapa të tjerë”. Kështu thonë nga Bashkimi Evropian, kur pyeten lidhur me sanksionet që i janë vënë Kosovës në fund të qershorit për padëgjueshmëri, por që nuk u hoqën as kur Qeveria pranoi marrëveshjen për ta shtensionuar situatën në veri, sipas propozimeve të BE-së.

Nga Qeveria e Kosovës, kryesisht nga Kryenegociatori në dialogun teknik me Serbinë, Besnik Bislimi, janë adresuar ankesat se BE-ja nuk po ia heq sanksionet Kosovës, për të cilat u tha se ishin të përkohshme.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i ka thënë Gazetës Express se evropianët mirëpresin vendimin për t’u hequr edhe 25 për qind e policëve, ashtu siç parashihej në Marrëveshjen për De-eskalim, të cilën Kosova e pranoi më 10 korrik, në Bratisllavë.

“Bashkimi Evropian e mirëpret njoftimin e Qeverisë së Kosovës për zvogëlimin edhe për 25 për qind të prezencës së policisë në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Vendimi është marrë pas një takimi të nivelit teknik mes Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, që ka për qëllim përcaktimin e parametrave të përbashkët për vlerësimin e situatës në komunat veriore”, thuhet në përgjigjen e Stanos.

Megjithatë, tërheqja e Policisë dhe nisma e Qeverisë për t’i çuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme katër komunat veriore, nuk janë të mjaftueshme për BE-në, që t’i revokojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Gazeta Express ka pyetur të mërkurën në Qeverinë e Kosovës nëse kanë marrë një përgjigje nga Bashkimi Evropian se kur do të hiqen masat ndëshkuese, por deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk ka marrë një përgjigje.

Kurti të enjten, duke përmendur tërheqjen e policisë (dy herë nga 25 përqind), tha se “jemi të interesuar për deeskalim të mëtutjeshëm, ndonëse është konstatim i përgjithshëm se në masë të madhe deeskalimi tashmë ka ndodhur”.

Ai i kërkoi Bashkimit Evropian që sa më parë t’i largojë masat ndëshkuese dhe të përmirësojë qëndrimin ndaj Kosovës.

Zv.kryeministri Bislimi pati thënë  në një takim me gazetarët para dy javësh se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Siç citohej nga Radio Evropa e Lirë, ai ka thënë që është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve, pas pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe BE-së në Bratisllavë, dhe tërheqjes së 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në katër komunat veriore.

Ish-ministri kosovar i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka thënë gjatë kësaj jave se Bashkimi Evropian nuk do t’i pezullojë sanksionet, pa u përmbushur tri kushtet e saj nga ana e Qeverisë së Kosovës për qetësim të situatës në veri të Kosovës. Që do të thotë, sipas tij, sanksionet nuk hiqen pa u shpallur zgjedhjet për komunat veriore.

Masat që BE-ja ia vendosi Kosovës në fund të qershorit

Me 1 korrik, nga Zyra e Mediave të BE-së i kanë thënë Expressit se masat e vendosura ndaj Kosovës ishin të përkohshme dhe të kthyeshme, në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimet për de-eskalim, që priteshin të merreshin nga Qeveria e Kosovës.

“Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimeve për deeskalim të marra nga kryeministri Kurti”, kishin thënë nga Brukseli.

Nga masat, të cilat një zëdhënës i BE-së i ka ndarë me Expressin, ishte pezullimi i përshkohshëm i punës në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Gjithashtu Kosova nuk do të ftohej në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezulloheshin.

Takimet që s’do të pezulloheshin, ishin vetëm ato që fokusohen në adresimin e Kosovës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjithashtu ishte konfirmuar se program i fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 janë suspenduar. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF), siç ka konfirmuar ky zëdhënës i BE-së, s’janë dorëzuar fare për shqyrtim në Bordin e WBIF në takimin e mbajtur më 29 dhe 30 qershor.

Sipas atij zëdhënësi të BE, institucionet e Kosovës ishin njoftuar për masat e marra ndaj tyre, më 28 qershor.

Hyrjen në fuqi të këtyre masave e kishte konfirmuar edhe Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhiley, kur ka treguar se Kosova s’është përfshirë në ndarjen e një fondi 2.1 miliardë euro që është mirtaur dje nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF).

Situata nisi të tensionohet në veri, më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë hynë nën përcjelljen e policisë në objektet komunale, përkundër refuzimit të serbëve lokalë, që po protestonin para komunave. Situata eskaloi më 29 maj, ku mbetën të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it, ndërsa u sulmuan edhe shumë ekipe mediale.

Marrëveshja për shtensionim që Kosova e pranoi në korrik

Më 3 qershor, BE-ja publikoi disa propozime, të cilat duhej t’i zbatonte Kosova, për ta shtensionuar situatën në veri. Ato propozime nuk u pranuan nga Kryeministri Kurti, deri më 1 korrik, kur zëvendësi i tij, Besnik Bislimi arriti marrëveshjen me emisarin evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak.

Me këtë marrëveshje, Kosova pranoi që menjëherë të ulë prezencën e policëve rreth objekteve komunale në katër komunat veriore, të mos marrë asnjë hap që konsiderohet që çon drejt deeskalimit dhe të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarë komunash në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.

Hapat që deri tash ka marrë Kosova për shtensionim

Në pikën e parë të marrëveshjes për De-eskalim, Qeveria zotohej se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshinte një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.

Ndërkaq, më 4 gusht, Kryeministri Kurti Policia e Kosovës do ta zvogëlojë edhe për 25 për qind prezencën e saj vetëm afër ndërtesave komunale në veri, dhe jo në pjesën tjetër të vendit.

“Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë. Janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme”, shkroi Kurti në njoftimin për tërheqjen e një pjese të Policisë. Kryeministri sqaronte se Policia po tërhiqej nga ndërtesat komunale, por jo nga rajoni i veriut.

Qeveria e Kosovës më tutje, ka treguar gatishmëri që katër komunat veriore t’i cojë në zgjedhje, por jo duke ia kërkuar dorëheqjen kryetarëve shqiptarë, të cilët më 29 maj u futën në objektet komunale, nën protestat e një numri të banorëve lokalë serbë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë, nënshkruajnë peticionin për largimin e kryetarit të asaj komune.

Ky peticion, sipas Krasniqit, do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor, që do ta verifikonte atë dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.

“Në këtë referendum duhet të marrin pjesë të paktën 50 për qind e trupës votuese, plus një. Kështu që kjo është baza ligjore që del dhe buron nga Ligji për vetëqeverisje lokale”, tha Krasniqi.

Ministri Krasniqi ka caktuar një grup punues, i cili do ta hartojë një udhëzim administrativ, që do të ndihmojë në largimin e kryetarëve.

“Grupi punues ka afat një muaj që ta bëjë draftit e udhëzimit administrativ… dhe mandej të jetë gati nga shtatori si udhëzim administrativ në të cilin mund të deklarohen qytetarët të cilët kanë për qëllim organizimin e peticioneve për largimin e kryetarëve”, tha Krasniqi, më 2 gusht.

Pikërisht në ditën kur Kurti kërkoi heqjen e masave, Zëdhënësi i BE-së Peter Stano duke folur me gazetarët, tha se arsyeja për vendosjen e tyre ishte sjellja joevropiane e Kosovës në tensionimin e situatës në veri.

“Dhe ajo që kemi bërë së fundi në dritën e eskalimeve aktuale është ndërmarrja e masave kundër Qeverisë së Kosovës për shkak të paaftësisë së tyre që të nisin të sillen në një mënyrë europiane në deeskalim dhe për të ndërmarrë hapa të konsiderueshëm për deeskalim”.

Nuk dihet se kur Qeveria do ta kënaqë BE-në duke përmbushur kërkesat e saj, por për sanksionet tashmë ka disa paralajmërime nga institucione tjera. Një delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, që qëndroi në Kosovë tha se  “masat e BE-së pengesë për investime dhe zhvillim ekonomik nëse mbesin gjatë në fuqi”. /Express/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img