Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar sot, përditësim të masave aktuale për luftim të pandemisë së koronavirusit.
Në një takim të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë – ku ka marrë pjesë Kurti – është thënë se pothuajse të gjitha rastet e infektimit janë me variantin Omicron të koronavirusit, përcjell Radio Evropa e Lirë.
Kurti ka kërkuar që masat e reja të kenë qëllim ngadalësimin e rritjes së shkallës së infektimit.
Sipas masave aktuale, të miratuara më 23 tetor të vitit të kaluar, kufizimi i lëvizjes zbatohet nga mesnata deri në ora 05:00.
Bizneset e gastronomisë punojnë deri në orën 23:00, derisa muzika ndalet në orën 21:30.
Masat e reja pritet të prekin orarin e këtyre bizneseve.
Më 19 janar, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 2,050 raste të infektimit. Kjo shifër paraqet një rritje të madhe krahasuar me një ditë më parë, kur u regjistruan 720 infektime.
Varianti Omicron i koronavirusit përhapet më lehtë se variantet tjera dhe duket se përcillet me simptoma jo shumë të ashpra.
Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje që ky variant të mos konsiderohet i butë.
Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, autoritetet kosovare kanë regjistruar mbi 163.000 raste të infektimit.
Prej tyre 2.995 persona kanë vdekur.
Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në mars të vitit të kaluar.
Prej atëherë janë dhënë mbi 1.7 milion doza të vaksinës.
Qytetarët në Kosovë mund të marrin vaksina të kompanive: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
Doza përforcuese e vaksinës mund të merret pas tre muajve të marrjes së dozës së dytë.