1.9 C
Pristina
Saturday, November 30, 2024

Buy now

spot_img

Kurti kërkon bashkëpunim më të madh ndërkombëtar për ruajtjen e kufirit me Serbinë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se pas sulmit të së dielës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre terroristë serbë, është ei nevojshëm bashkëpunimi ndërkombëtar edhe më i madh për ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë.

Kjo pasi sipas kryeministrit, me Serbinë, Kosova e ka vijën më të gjatë kufitare.

Kurti ndër të tjera tha sot se komuniteti ndërkombëtarë duhet të ketë kërkesa të prera ndaj Serbisë.

“Sulmi terrorist i së dielës, gjithashtu ka ekspozuar edhe vështirësitë sa edhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar edhe më të madh në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë. E bashkë me të edhe nevojën për dënim të hapur, me gjuhë të qartë e të përveçme, dhe kërkesa të prera ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar. Sepse kufirin me Serbinë, më shumë sesa vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, veçanërisht në pjesën veriore, të rrezikshëm dhe të vështirë e bëjnë sjellja dhe apetitet e Beogradit zyrtar”, tha ai.

Kryeministri tutje tha se të dielën është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria ndërkombëtare.

Sipas Kurtit vlera e armatimit që u gjet nga Policia e Kosovës në Manastirin e Banjskës kap vlerën 5 milionë euro.

“Të dielën është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare. Po atë ditë, është dëshmuar rreziku, qëllimi, potenciali dhe gatishmëria e grupeve kriminale dhe terroriste, të cilat i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë. Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale. Ata janë në kërkim të institucioneve tona të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Ata shfaqen në krah e përkrah e në një tryezë në Beograd e në Rashkë,  me Presidentin e Serbisë, Vuçiq, duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejtë të shtetit serb në këtë mes”, tha ai.

E fjalë jashtëzakonisht lavdëruese ai pati për Policinë e Kosovës.

I pari i ekzekutivit pohoi se aksioni i së dielës është më i suksesshmi që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

“Përballë kësaj, është dëshmuar profesionalizmi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës, i institucioneve tona të sigurisë në përgjithësi. Është dëshmuar kapaciteti i tyre i plotë për të mbrojtur Republikën. Ky është suksesi i tyre më i madh që prej shpalljes së Pavarësisë. Kjo na bën krenar të gjithëve dhe secilin. Andaj, sot ju ftoj të gjithëve, juve këtu, dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, që t’i falënderojmë pjesëtarët tanë të policisë në uniformë, kudo e kurdo që i shihni: në mëngjes, gjatë ditës,  a në mbrëmje,  në rrugë, në sheshe, në vend të punës, në lagje, në trafik. Ju faleminderit për shërbimin tuaj”, tha ai.

E sa i përket dyshimeve se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq u ka prirë grupit të terroristëve, Kurti tha se kjo gjë meriton vëmendjen e të gjithëve.

“Njëkohësisht, pas dokumentimit të pjesëmarrjes në këtë sulm terrorist të nënkryetarit të Listës së Serbe, Millan Radoiçiq, është vërtetuar edhe një gjë që meriton vëmendjen e të gjithëve: rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë. Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm. Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutelat e Serbisë”, tha ai. /Express/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img