Site icon PrishtinaPress

Kurti kërkoi të nënshkruaj, Vuçiq refuzoi, marrëveshja hyn në fuqi me një deklaratë të BE’së

Kryeministri Albin Kurti e ka kritikuar palën serbe mbrëmë se ka refuzuar të nënshkruaj propozimin europian, bashkë me aneksin e implementimit për të cilin u dakorduan në Ohër. Duket se mosnënshkrimi në Maqedoninë e Veriut ishte ajo çka i interesonte më së shumti Aleksandar Vuçiqit. Ndonëse e konfirmoi se ka marrëveshje, mediat që kontrollohen nga ai më së shumti i bënë jehonë faktit që Presidenti i Serbisë nuk firmosi asgjë. Ato cituan edhe Kurtin që tha se Presidenti serb nuk pranoi të firmos.

Shefi i diplomacisë europiane posa doli nga negociatat 13 orëshe në Ohër e potencoi këtë fakt. Tha se ka marrëveshje por se palët s’jane dakorduar për nënshkrimin.

“Fillimisht kemi propozuar një aneks më ambicioz, por palët nuk kanë arritur një pajtim mbi atë version. Në njërën anë, sepse besoj që Kosova nuk ka pasur fleksibiltet sa i përket substancës, dhe në anën tjetër, Serbia ka theksuar në parim që të mos nënshkruaj, edhe pse është e gatshme të implementojë”, tha Borell.

Tutje shefi i diplomacisë së BE’së theksoi se marrëveshja do të hyjë në fuqi në një mënyrë tjetër.

“Pra marrëveshje konsiderohet e miratuar me një deklaratë që do të publikohet. Më besoni përkundër faktit që një tekst më ambicioz është propozuar në fillim, ajo mbi të cilin janë dakorduar palët, dhe zbatimi i saj përmes aneksit do të bëhet pjesë përbërse drejt rrugëtimit të tyre evropian”, tha Borrell sipas përkthimit zyrtar të deklaratës së tij.

Ndryshe BE ka publikuar aneksin e zbatimit të marrëveshjes pasi Borell ka përfunduar konferencën. Me këtë dokument Kryeministri Kurti ka pranuar të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe edhe pse në aneks nuk figuron emri.

Për këtë flitet në pikën pesë të Aneksit ndërsa Kosova obligohet të fillojë negociatat me BE-në për çështjen e vetë-menaxhimit për komunitetin serb në përputhje me marrëveshjet e mëparshme të Dialogut.

 

Exit mobile version