Site icon PrishtinaPress

​Kurti: Kemi rritur buxhetin për blerje të armatimit modern për ushtrinë tonë

Kryeministri Albin Kurti gjatë prezantimit para deputetëve Projektligjin në parim për buxhetin 2023 në vlerë mbi 3.2 miliardë euro, theksoi se viti i kaluar ishte viti më i suksesshëm në historinë e shtetit të Kosovës sa i përket të hyrave dhe rritjes ekonomike.

Kurti theksoi se ky vit, përveç krizave dhe sfidave globale, mundëson të ketë një konsolidim të financave publike. Sipas FMN-së, Kosova është në vendin e parë që ka arritur një sukses të tillë dhe që është referencë për shtetet të tjera për financave publike.

Prandaj, sipas Kurtit, buxheti për vitin 2023, është në vlerë 3 miliardë e 212 milionë, ndërsa të hyrat buxhetore 2 miliardë e 884 milionë euro.

Kurti përmendi shtimin e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes dhe për blerje të armatimit modern për ushtrinë tonë.

“Kemi një projeksion mjaft pozitiv për vitin e ardhshëm fiskal, buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, kurse të hyrat buxhetore do të arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 884 milionë euro, me ç’rast kemi ndarë 745 milionë euro në kategorinë paga dhe mëditje, 493 milionë euro në kategorinë mallra dhe shërbime. Ndërsa 1 miliard e 98 milionë euro në subvencione dhe transfere dhe 811 milionë euro për shpenzime kapitale. Për sa i përket projekteve specifike ato reflektojnë në programin tonë qeverisës. Kemi shtuar 240 pozita të reja për inspektoratet, kjo nënkupton më shumë inspektorë të punës që të mbrohen të drejtat e punëtorëve. Kemi ndarë 296 milionë euro për shëndetësi, më së shumti ndonjë herë që nga prej shpalljes së pavarësisë… Në kontekstin aktual, mbështetja në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes është e rëndësishme, andaj kemi shtuar 300 pozita të reja për policinë dhe kemi rritur buxhetin për blerje të armatimit modern për ushtrinë tonë. 123 milionë euro parashihet buxheti i përgjithshëm për Ministrinë e Mbrojtjes” , tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha po ashtu se në linjë me premtimin e Lëvizjes Vetëvendosje për zhvillimin e hershëm të fëmijëve, është vazhduar me linjën buxhetore për ndërtimin e çerdheve, ku për këtë vit janë 11 projekte për ndërtimin e çerdheve.

Ai tha se qeveria ka vazhduar mbështetjen për bujqit dhe fermerët për vitin 2023 ku buxheti për ta për herë e të parë e kap shifrën 87 milionë euro.

Sipas tij, me buxhetin e vitit 2023 do të përfshihen në skemë të gjithë fëmijët nën 16-vjeç.

Në fund të prezantimit, Kurti kërkoi mbështetjen e deputetëve për buxhetin e vitit 2023./Prishtinapress/

Exit mobile version