1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Kurti jep sinjale se do ta pengojë krijimin e Qeverisë së re: Nuk do t’i përgjigjemi menjëherë Presidentit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do t’i përgjigjet menjëherë kërkesës së presidentit, Hashim Thaçi për dërgimin e emrit të mandatarit për formimin e qeverisë, sepse qeveria e tij është shumë e zënë në luftimin e pandemisë me koronavirus. Sipas tij, sapo të kalojë pandemia, Kosova duhet të shkoj drejt zgjedhjeve parlamentare. Duke folur për marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara, Kurti ka thënë se “aleanca dhe partneriteti në mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së është i pashkëputshëm dhe nuk varet nga qeveritë e Republikës së Kosovës as nga kryeministrat e presidentët.

Zoti Kurti, fillimisht kur do ta dërgoni emrin e mandatarit për formimin e qeverisë te presidenti? Keni thënë së shpejti, por a mund të jeni më i saktë?

Albin Kurti: Ne nuk duam që të mos komunikojmë me presidentin, jemi shumë bashkëpunues, mirëpo në anën tjetër edhe jemi shumë të zënë me prioritete tjera në veçanti e mbi të gjitha me luftimin e pandemisë Covid-19. Kështu që, siç e kemi thënë më herët në një moment të përshtatshëm ne do t’i përgjigjemi presidentit, mirëpo nuk mund të them se do ta bëjmë tash menjëherë. Presidentin nuk e lëmë pa përgjigjje, por vendin tonë gjithashtu nuk e lëmë pa qeverisje të mirë.

Kjo çështje bëhet edhe më urgjente marrë parasysh faktin se Kosova dhe e gjithë bota është në luftë me pandeminë?

Albin Kurti: Edhe po të kishim ndonjë qeveri tjetër, nuk do të mund të kishte prioritet tjetër përveç luftimit të pandemisë, dhe jam i bindur se qeveria jonë këtë po e bën shumë mirë edhe tash si qeveri në detyrë pas mocionit të mosbesimit. Pra, urgjenca ekziston për ta luftuar pandeminë, por nuk ka ekzistuar për ta rrëzuar qeverinë dhe aq me pak për të bërë ndonjë lloj manipulimi për qeveri të re siç ka aluduar presidenti.

Zoti Kurti, partitë politike në Kosovë, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, janë shprehur në favor të formimit të një qeverie tash meqë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve aktualisht nuk ka për shkak të pandemisë. A mendoni të jeni kryeministër në detyrë deri në përfundim të pandemisë?

Albin Kurti: Unë mendoj që më së miri është që të gjithë të bëhen bashkë me qeverinë në detyrë dhe me mekanizmat shtetërorë në luftimin e pandemisë dhe posa ta kalojmë këtë krizë shëndetësore të punojmë e urojmë që kjo të ndodhë me sa më pak pasoja, ne të shkojmë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare dhe më pas të kemi edhe kuvend të ri edhe qeveri të re.

Nuk janë partitë politike ato të parat, të cilat kanë thënë se janë kundër zgjedhjeve, në fakt është vetë presidenti i cili ka shprehur jo vetëm intencën, por edhe planin e tij, për një lloj qeverie të re gjithëpërfshirëse siç është shprehur ai. Pra, bëhet fjalë për një tendencë të presidentit edhe ta formojë edhe ta drejtojë vullnetin politik, që natyrisht është jashtë kompetencave të tij.

Me 2014 në Kuvendin e Kosovës patët deklaruar se republika nuk organizohet rreth të parit në garë, por rreth shumicës së tërësisë. Ku është Lëvizja Vetëvendosje, te e para në garë, apo shumica e tërësisë?

Albin Kurti: Ne jemi të parët në garë dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 e ka imponuar edhe garën zgjedhore në vitet në vijim, deri në ditët e sotme, pa çka se unë konstatoj që në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ka mangësi e pabarazi dhe në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk ka gjithherë drejtësi. Pra, ne jemi ata të cilët i kemi respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, ndonëse mund të mos jemi pajtuar me to dhe e këtillë është situata edhe sot e kësaj dite. Unë respektoj kushtetutshmërinë ndonëse Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimet e gjykatës Kushtetuese janë larg prej të qenit të përsosur.

Me kë do të përpiqeni që në të ardhmen të krijoni shumicën, sepse aktualisht duket se jeni të vetëm?

Albin Kurti: Kurrë nuk ka qenë mbështetja më e madhe për Lëvizjen Vetëvendosje sesa sot. Ne kemi shumë më tepër mbështetje si qeveri në detyrë, sesa kur ishim qeveri e posa formuar në muajt shkurt dhe mars. Që nga 6 tetori kur i fituam zgjedhjet e deri tash në fillim të muajit prill, praktikisht është dyfishuar mbështetja për neve. Ne do të hyjmë në garën politike elektorale jo vetëm për të fituar kësaj radhe, por gjithashtu edhe që ta kemi edhe numrin e nevojshëm e të mjaftueshëm të deputetëve për të formuar qeverinë e radhës. Mirëpo, nuk mund të flitet tash për koalicionet e ardhshme, kur nuk i kemi ende zgjedhjet e shpallura dhe pas asaj se çfarë na ndodhi me braktisjen e orientimit tonë qeveritar të përbashkët nga partneri ynë i koalicionit.

Kur jemi te pandemia, më 13 prill hyn në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit hidhet poshtë vendimi i qeverisë për lëvizjen e kufizuar në Kosovë. Çka do të ndodhë më 13 prill, do të shpallni gjendje të jashtëzakonshme?

Albin Kurti: Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim, i cili është me përplot siklet brenda. Ky është një aktgjykim, i cili neve na konteston procedurën por jo edhe përmbajtjen. Prandaj, ata na e kanë dhënë njëkohësisht lejen që ne të vazhdojmë me masat tona deri me datën 13 prill. Me vendim të qeverisë ne e kemi formuar një grup punues nga katër ministra, nga Shëndetësia, Punët e Brendshme, Infrastruktura e Mjedisi dhe Administrimi i Pushtetit Lokal, pra zotërinjtë Vitia, Sveçla dhe Abdixhiku, sikurse dhe zonja Rexhepi, në mënyrë që të komunikojnë dhe bashkëpunojnë dhe vendosin bashkë me kryetarët e komunave lidhur me masat që do t’i ndërmarrin në secilën komunë, pasi që gjendja në ato dallon shumë prej njëra-tjetrës.

Pra, tash është Ministria e Shëndetësisë, por edhe këto tri ministritë tjera, të cilat do t’i vendosin masat për ditët dhe javët në vijim. Shpresoj jo më larg se muaji prill me qenë se në maj ka shenja se do të mund të dalim nga kjo kriza e pandemisë.

A ka Kosova nevojë për gjendje të jashtëzakonshme?

Albin Kurti: Në Kosovë, ne i kemi ndërmarrë masat e jashtëzakonshme, por nuk ka nevojë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme sepse nuk ka kolapsuar sistemi shtetëror, sepse mekanizmat, institucionet dhe organet e shtetit janë duke i kryer detyrat, të cilat ua ka dhënë qeveria. Në këtë mënyrë nuk ka dështim të sistemit që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme. E kemi shpallur gjendjen e emergjencës shëndetësore nga Ministria e Shëndetësisë dhe kemi lëvdata edhe brenda vendit, por që besa edhe jashtë, se jemi një shtet shembullor në përballje me pandeminë e koronavirusit.

Jeni akuzuar nga partitë politike në vend, përfshirë këtu edhe partnerin tuaj në koalicionin qeverisës, për menaxhim të dobët të situatës në veri. Sa në fakt e keni nën kontroll situatën atje?

Albin Kurti: Nuk mund të them që situata në veri të Kosovës ka qenë ndonjëherë e kontrolluar siç duhet dhe sa duhet që prej çlirimit e këtej. Shpallja e Pavarësisë nuk e ka ndryshuar fort gjendjen tash e 12 vjet, dhe qeveria jonë, e cila nuk i kaloi as dy muaj të plotë dhe erdhi mocioni i mosbesimit, nuk mund të jetë përgjegjëse për gjendjen që e kemi gjetur aty.

Natyrisht, Serbia ka ndikim më shumë dhe vepron më aktivisht në veri të Ibrit, mirëpo unë kam komunikuar me kryetarët e komunave me shumicë serbe, të gjitha ato dhe sidomos ministri i Shëndetësisë, por edhe ai që është ushtrues detyre i Punëve të Brendshme, kanë komunikuar dhe bashkëpunuar me këto komuna dhe i kemi marrë vendimet të cilat zbatohen. Nuk them që nuk ka edhe vendime të Serbisë, që pjesërisht e nganjëherë nuk zbatohen ndokund, meqenëse ende ka struktura të Serbisë në Kosovë, por ne nuk mund të ndryshojmë këtë gjë brenda pak javësh, e aq më tepër në kuadër të kësaj pandemie të koronavirusit. Ne përkundrazi, po përpiqemi që pavarësisht dallimeve etnike, rajonale e partiake, të bëhemi bashkë me të gjithë të tjerët në këtë frontin kundër koronavirusit, i cili përndryshe qysh dihet nuk na dallon neve në bazë të etnisë, komunës apo partisë.

A mendoni se mund t’i bëni ballë, në cilësinë e qeverisë në detyrë, fuqizimit të strukturave të Serbisë në veri?

Albin Kurti: Nuk besoj që ka ndonjë fuqizim të strukturave të Serbisë shumë më tepër sesa që ato veprojnë zakonisht dhe le të mos harrojmë që një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve serbë në Kosovë i kanë nga dy kapela apo nga dy karrige ka një lloj dualizmi i cili është i pashëndetshëm. Mirëpo, po them edhe një herë, nuk kemi mundësi që të gjitha këto t’i ndryshojmë përnjëherë e aq më pak në kuadër të kësaj pandemie, e cila është një situatë krejtësisht e re për shtetin dhe për shoqërinë tonë, me të cilën nuk kemi përvojë e megjithatë po ia dalim relativisht mirë.

Pandemia është shfrytëzuar nga komuniteti ndërkombëtar në Kosovë për të përçuar thirrje te elita politike në Kosovë, që të lë mënjanë ndasitë. Por, edhe komuniteti ndërkombëtar ka qenë i ndarë, në raport me zhvillimet politike në Kosovë. Në njërën anë Shtetet e Bashkuara dhe në anën tjetër vendet e Bashkimit Evropian. Qëndrimet tuaja janë rreshtuar kryesisht me ato të BE-së, përfshirë këtu edhe mbi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë. Pse nuk jeni rreshtuar me SHBA-në?

Albin Kurti: Nuk është se unë jam rreshtuar me ndokënd dhe nuk mendoj që askush është rreshtuar me mua. Politikanë, diplomatë të ndryshëm kanë qëndrime, mendime të ndryshme, mendime të ndryshme brenda Bashkimit Evropian po ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Unë jam zotuar para qytetarëve për zëvendësimin e tarifes 100 për qind me reciprocitetin dhe këtë e kam mbajtur, kam shprehur vullnetin e mirë duke hequr reciprocitetin fillimisht për lëndë e parë të importuar nga Serbia, nuk është që edhe pas heqjes së tarifës ka ndonjë trafik të shtuar me Serbinë. Mirëpo, unë besoj që reciprociteti është rruga e duhur përpara si koncept i barazisë, si koncept i trajtimit pa diskriminim, as ne Serbinë por as ajo neve.

Pse nguroni të përmbushni kërkesën e SHBA-së për reciprocitetin? Aleanca me Uashingtonin gjithnjë është cilësuar si e shenjtë në Kosovë.

Albin Kurti: Unë jam i bindur që aleanca dhe partneriteti në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i pashkëputshëm dhe nuk varet nga Qeveritë e Republikës së Kosovës, as nga kryeministrat e presidentët. Kjo është një gjë shumë më e thellë e cila ka të bëjë edhe me historinë, ka të bëjë edhe me gjeopolitikën. Por, ka të bëjë edhe me vlerat e përbashkëta. Prandaj, fakti që ne mund të kritikojmë njëri-tjetrin nuk është dobësi.

Unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nevojë për një Kosovë të fuqishme, për një Kosovë e cila e mbron interesin e vet dhe në këtë mënyrë edhe e forcon aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë nuk besoj që shteti i dobët i Kosovës jep kontribut më shumë në aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e shteti i Kosovës forcohet pikërisht duke pasur respekt për vete, e duke ndërtuar marrëdhënie reciproke me të tjerët, në radhë të parë me Serbinë.

Zoti Kurti, keni diçka për të shtuar për në fund?

Albin Kurti: Unë i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të ndjekin me vëmendje vendimet e qeverisë në këtë kohë pandemie si dhe udhëzimet e mjekëve e të ekspertëve tanë. Virusi nuk ka këmbë të vetat, por i shfrytëzon këmbët tona dhe përhapet. Ne nuk e kemi nivelin e kënaqshëm të sistemit shëndetësorë publik andaj le të bëjnë gjithçka, tërë kohën në çdo vend për parandalimin e këtij virusi e më pastaj me siguri që do t’i japim hov edhe reformave të shumta edhe progresit të gjithmbarshëm në vendin dhe shoqërinë tonë./REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img