Site icon PrishtinaPress

Kurti iu tregon anëtarëve të LVV-së se si e sheh ai marrëveshjen finale me Serbinë

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka theksuar katër qëndrime të Qeverisë që ai e udhëheq mbi marrëveshjen finale që synohet të arrihet me Serbinë. Kurti sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së tha se marrëveshja, përveç njohjes nga Serbia, duhet ta përfshijë edhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, raporton Gazeta Express.

Kurti tha se marrëveshja po ashtu mund të jetë e obligueshme vetëm në rast se bëhet sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës së Vjenës për Ligjin mbi Traktatin.

“Të gjithë e dimë kërkesën për marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme. Për neve marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB për Kosovën. Pra, një marrëveshje e cila e ka vetëm njohjen nga Serbia. por që nuk pasohet nga ulësja në OKB, ose ofron ulëse në OKB si zëvendësim për njohjen nga Serbia, mund të jetë marrëveshje, por nuk mund të jetë përfundimtare. Dhe marrëveshja është ligjërisht e obligueshme nga pikëpamja e bindja jonë atëherë kur ajo e ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës së Vjenës për Ligjin mbi Traktatin”, tha Kurti.

Ai ka thënë se bisedimet me Serbinë nuk mund të vazhdojnë pafundësisht, ndërsa. Kurti tha se pavarësia e Kosovës është rezultat i kompromisit.

“E treta, po bëhen 23 vjet bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gati gjysma e kësaj periudhe nën ndërmjetësimin apo lehtësimin e Bashkimit Evropian. Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht por duhet ta dimë qysh në fillim që dialogu, bisedimet nuk janë për statusin e Kosovës por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë e që duhet të bazohen në barazi dhe reciprocitet, e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjellë. Dhe e katërta, pavarësia që e kemi është kompromis. Pavarësinë nuk e kemi shpallur para 13 vjetëve dhe 4 vjetët e para, pavarësia e kishte Pieter Feithin sipër si autoritet sovran ndërkaq tash e 13 vjet e ka Ahtisaarin brenda si kompromis që është dashur ta sjellë një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por që nuk ndodhi asnjëherë”, është shprehur Kurti.

Paraprakisht, ai është mburrur me disa prej punëve të Qeverisë. Ai ka theksuar vizitat e politikanëve të jashtëm në Kosovë, si diçka që siç thotë, nuk ka ndodhur kurrë më parë.

“Kurrë nuk ka pasur për vetëm tre muaj më shumë vizita të udhëheqësve ndërkombëtarë e kryediplomatëve nga jashtë si dhe pritje jashtë vendit të presidentes Osmani, kryeparlamentarit Konjufca, kryeministrit, ministres së Jashtme Gërvalla dhe Qeverisë së Kosovës në përgjithësi. Së fundmi, unë u prita nga presidenti i Francës, Macron, e patëm në Kosovë si mysafir ministrin e Jashtëm të Italisë, Di Maio”, ka thënë Kurti.

Exit mobile version