Site icon PrishtinaPress

Kurti ia përmendi Costas sulmin në Ibër-Lepenc dhe Banjskë: Radoiçiq paraqet rrezik për sigurinë e vendit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka bërë thirrje që të hiqen sa më parë masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Po ashtu Kurti ka njoftuar Costan për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, ndërsa ka theksuar rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të Milan Radoiçiqit.

“Kryeministri Kurti theksoi dhe nevojën për heqjen sa më parë të masave ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës. Më tej, kryeministri foli dhe rreth situatës së sigurisë dhe sulmeve të fundit. Ai e informoi Presidentin Costa mbi sulmin kinetik terrorist të së premtes së 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe qëllimin e këtij sulmi për të dëmtuar prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizimin e ujit, nga i cili më shumë se gjysma e popullsisë do të mbetej pa energji elektrike dhe ujë”.

“Ai theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Milan Radoiçiq, për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Ndërsa, Costa dje ka pritur në një darkë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Costa dha mesazhin ambicioz të cilin e përcolli edhe me një fotografi të përbashkët.

Në të njëjtën fotografi gjendet Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq – vetëm pesë ditë pas sulmit në Ibër-Lepenc për të cilin kryeministri ka thënë se është kryer nga profesionistë të dirigjuar nga Serbia.

Ky sulm nuk është përmendur nga Antonio Costa në njoftimin e tij, përpos mesazhit për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Le të punojmë për ta realizuar. Ky është mesazhi që kam dhënë, së bashku me Kaja Kallas dhe Kos Marta në darkën e sotme me liderët e #Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ai në “X”.

Exit mobile version