4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Kurti ia njeh meritat dhe mbron Thaçin e burgosur, dikur thërriste “Shko Hashim”

Hera e fundit kur Albin Kurti do ta ndante Hashim Thaçin nga shokët e luftës ishte kur thirrte “Shko Hashim”. Tani, Kurti e njeh kundërshtarin më të madh të tij si “figurë historike”, e do pafajësinë e tij dhe druan se përmes Gjykatës Speciale, që po e gjykon Thaçin dhe shokët e tij, mund të “rishkruhet historia”, në dëm të Kosovës.

“Ata janë heronjtë kombëtarë të Kosovës – tani po akuzohen për krime lufte”, është titulli i një artikulli të shkruar nga gazetari britanik, Matthew Campbell, të cilin e ka shpërndarë të dielën Kryeministri Albin Kurti, në profilin e vet. Në artikull ishte cituar edhe një pjesë nga biseda e tij me gazetarin, për Gjykatën Speciale.

Shkrimi fliste për gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë, nën akuzat për krime lufte. Gjykimi nisi më 3 prill.

“Kënaqësi që të flas me Mattheë Campbell për artikullin e sotëm në The Times. Ne folëm për mirënjohjen e Kosovës ndaj Mbretërisë së Bashlkuar për ta rishkruar historinë dhe shikimin e Ballkanit nga Rusia, si front kundër NATO-s”, shkroi Kurti në Twitter.

Brenda artikullit, Kurti citohet se ka thënë se është i shqetësuar që Gjykata Speciale mund ta ndihmojë Serbinë ta “rishkruajë historinë”. Për mundësinë e “rishkrimit të historisë” nga gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, kishte shkruar gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” një javë më parë.

Kryeministri Kurti ia ka përmendur gazetarit britanik se ai dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, kanë qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, themelimi i së cilës u votua në Kuvendin e Kosovës, në gusht të 2015-s.

Kurti, sot e kësaj dite, deklarohet kundër kësaj gjykate. Kështu ka bërë edhe në intervistën e tij në “The Times”.

Por, ajo që ka ndryshuar tani te Kurti si Kryeministër është qëndrimi ndaj kundërshtarit të madh të tij, ish-Presidentit Hashim Thaçi. Kurti ishte konfrontuar gjatë me Thaçin në Kuvend, ndër të tjera, edhe për Gjykatën Speciale.

Mbahet mend një adresim publik që Kurti ia ka bërë Thaçit në vitin 2019, që niste me thirrjen përsëritëse “Shko Hashim”. Kryeministri i tanishëm e ftonte Presidentin e atëhershëm të dorëzohej në Hagë.

“Arritjet dhe sukseset që Kosova i ka pasur falë sakrificave të popullit tonë e të UÇK-së, por edhe falë ndihmës së miqve ndërkombëtarë, u përpoqe t’ia përshkruash vetvetes. Por, kur erdhi puna për të mbajtur përgjegjësi, e mohove UÇK-në, e le në baltë popullin, dhe i tradhtove ata që e mbështetën tradicionalisht Kosovën në arenën ndërkombëtare. Prandaj, ka ardhur momenti që ti të shkosh, atje ku po të thërrasin, në kurthin që vetë ia ngrite ushtrisë çlirimtare, duke ua përdredhur duart deputetëve të partisë tënde e duke na shkelur të gjithëve më 3 gusht 2015. Shko Hashim”, niste letra publike e Kurtit.

Tutje lideri i LV-së ia përshkruante Thaçit burgun e Hagës, duke i thënë se nuk është tragjedi qëndrimi në të.

“Burgu nuk është tragjedi dhe fatal. Sidomos ky i Hagës. Besoj që Ramushi, Fatmiri e Batoni të kanë treguar: aty ka televizor, ushqim të mirë tre herë në ditë, salla për rekreacion dhe libra të panumërt në bibliotekë të pasur. Nuk të ndodh asgjë e keqe atje, përveç faktit që do të kesh kohë të përballesh me ndërgjegjen tënde, të cilën kushedi sa vite ka që nuk e takon më. Shko Hashim”, shkruante tutje Kryeministri i tanishëm.

Që në nisje të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së, Prokuroria është kujdesur që të dëshmojë se UÇK-ja ka qenë e strukturuar, e mirëorganizuar dhe se Shtabi i Përgjithshëm, pra katër të akuzuarit, kanë pasur fuqi ekzekutive.

Para katër vjetësh, Kurti e ftonte Thaçin që të mos e linte Prokurorinë të merret me vartësit e tij në luftë, por të “shkonte vetë”.

“Prokuroria e gjykatës speciale i është sulur komandantëve të zonave, brigadave, batalioneve dhe të njësive tjera. Mos e lejo këtë. Dilju zot atyre. Mbroji ata. Mbroje UÇK-në. Sepse nuk është korrekte të marrësh meritat 20 vjet e përgjegjësinë asnjë ditë”, shkruante Kurti.

Kurti atëherë i thoshte Thaçit “mos e mendo ta japësh veriun si kapar apo të na bosnjëzosh me ‘Zajednicë’ për ta shpëtuar veten.”

Kryeministri i tanishëm thoshte se nuk mendon që Thaçi është fajtor për luftën, por kishte mëkate të tjera dhe i kërkonte që të shkonte në Hagë, duke u bërë “presidenti që hyn në histori”.

“Po pra, shko Hashim. Në Hagë thuaje fjalën tënde me argumente e fakte, në mbrojtje të luftës çlirimtare, të UÇK-së, të shqiptarëve e të historisë sonë. Të takon. Je historiani që ishe në luftë. Bëhu presidenti që hyn në histori. Shko Hashim”

Kaloi një vit nga ky adresim dhe Thaçi shkoi në Hagë, për të qëndruar gati tri vjet në paraburgim. Kjo e mësipërmja ishte thirrja e fundit që Kurti ia bëri Thaçit. Me largimin e tij nga pushteti dhe shkuarjen në Hagë, Kurti ka nisur ta njohë atë si figurë “historike”.

Në përvjetorin e vitit të kaluar të Epopesë së UÇK-së, në një seancë solelmne në Kuvend, Kurti kishte përmendur krerët e UÇK-së në Hagë, duke thënë se aty po mbaheshin bashkëluftëtëtarët e Adem Jasharit.

“Është e pamundur të mos e përmend që në kohën kur ne e kujtojmë një prej masakrave më të tmerrshme të luftës sonë çlirimtare dhe prej heroizmave më të pashembullt, në Hagë kemi bashkëluftëtarë të Adem e Hamës Jasharit që mbahen në burg, pikërisht për këtë luftë, pikërisht për këtë narrativë që ne e kemi ndërtuar me gjak, ndërsa Serbia dëshiron ta rindërtojë me gënjeshtra”, pati thënë Kurti në Kuvend.

Në 15-vjetorin e pavarësimit të Kosovës, Kryeministri ishte pyetur nga një revistë për gabimet e ish-presidentëve Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçit dhe të veprimtarit Adem Demaçi. Viteve të fundit veçse kishte nisur ta nderonte Rugovën, por ajo ishte hera e parë që Kurti refuzoi të fliste për gabimet e Thaçit dhe ta deklaronte atë si “figurë historike”.

“Në këtë kohë festimesh e përvjetorësh jubilarë, këto tre figura duhen kujtuar me respekt për kontributet e tyre të cilat kanë qenë sidoqoftë thelbësisht të ndryshme, edhe pse në të njëjtin drejtim: atë të pavarësisë së Kosovës. Pikërisht kjo është gjëja që i bashkon këto tre figura të ndryshme nga njëra-tjetra”, ka thënë Kurti.

Qasja e Kurtit ndaj kundërshtarit të tij të madh politik është zbutur, por jo aq sa ta vizitojë në burg atë dhe të tjerët. Kur është pyetur për arsyen që nuk i viziton, Kurti njëherë tha se nuk beson se mund t’i ndihmojë duke i takuar ata, e më pas tha se nuk shkon edhe se nuk e njeh Gjykatën Speciale si institucion, e i duhet “të nënshkruajë shumë dokumente”.

Pak ditë pasi foli për përkrahjen e të gjithë krerëve të UÇK-së që janë në Hagë, përfshirë dhe Thaçin, LV-ja doli në përkrahje të marshit në mbrojtje të UÇK-së, por nuk mori pjesë në të.

Dy ditë pasi nisi gjykimi ndaj ish-krerëve, në mungesë të një deklarimi, Kurti u pyet nga gazetarët për një komenti rreth gjyqit. Ai tha se i duhej të largohej dhe se nuk kishte kohë të fliste.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img