Site icon PrishtinaPress

“Kurti i zënë me protesta në mbështetje të vetes, rruga Prizren -Tetovë muhabet që s’kushton”

Kryeministri Albin Kurti e ka riaktualizuar ndërtimin e rrugës Prizren -Tetovë gjatë viiztës në Maqedoninë e Veriut të premten që shkoi. Atje foli me tone kritike ndaj pushtetit ku bënë pjesë edhe BDI e Ali Ahmetit, duke thënë se vonesat janë të pajustidikueshme. Edhe pse Kurti të dielën shkoi edhe në Prizren dhe te vendi nga ku mund të shihet terreni ku planifikohet tuneli që lidh dy vendet, në Kosovë kjo s’po merre seriozisht.

Kreu i Lidhje Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku të hënën në një postim e ka quajtur këtë  muhabet të Kurtit.

“Sot, në vitin e tretë të mandatit, flasin për tunele, Prizren – Tetovë, 200 milionë. Muhabetet s’kushtojnë. Ato megjithatë na shpërfaqen të njëjta sikurse para tre viteve. Njëjtë me të njëjtat premtime dalin dhe sot” shkroi Abdixhiku.

Tutje ai tha se kjo qeveria s’ka mundur të bëjë asnjë hap për zhvillimin e infrastrukturës. Ndërkohë, që ka ironizuar me protestën e djeshme në mbështetje të Kurtit që e organizuan disa persona.

“Të zënë me organizimin e protestave për mbështetje ndaj vetes – merreni me mend – të fiksuar me diskutime ndaj të shkuarës, të angazhuar në ndarje, sharje e përçarje – pra në thatësi politike – kjo Qeveri nuk ka mundur të bëjnë as edhe një hap të vetëm në zhvillimin infrastrukturor të Kosovës” ka shkruar Abdixhiku.

Ndryshe Kurti pas kthimit nga Maqedonia e Veriut është kujdesur të shkojë në Prizren ku ka dhënë detaje për koston e kësaj rruge

“Në bazë të parallogaritjeve që janë bërë kostoja e gjithmbarshme do të jetë rreth 200 milionë euro, ku rreth 150 milionë euro janë për tunelin, që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai në Kalimash, ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtojë rruga në të dy anët e tunelit që lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme edhe për aktualitetin, por që kanë përplot histori, kulturë e art, siç janë Prizreni e Tetova” ka shkruar ai.

Duke folur rreth takimit me Kryetarin e Komunës së Prizrenit Shaqir Totaj, ai ka përmendur edhe marrëveshjen me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

“Natyrisht që në qendër të diskutimit tonë ishte lidhja e Prizrenit me Tetovën, për çfarë e kemi marrëveshjen e nënshkruar me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut qysh nga shtatori i vitit 2021 dhe që ka një dakordim për opsionin nga studimi i fizibilitetit me tunel prej 6.4 kilometrave. Me ç’rast nga përafërsisht 15 kilometra në të dy hyrje daljet e tunelit të ardhshëm do të mund të lidhet Prizreni me Tetovën e Tetova me Prizrenin, si një aks jashtëzakonisht i rëndësishëm për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e Maqedoninë e Veriut, për mbarë rajonin tonë, si për qytetarët ashtu edhe për ndërmarrësit” ka thënë Kurti.

I shoqëruar nga Zëvendësministri Hysen Durmishi ai  po ashtu ka vizituar edhe lokacionin në fshatin Struzhë ku pritet të kalojë një pjesë e rrugës Prizren-Tetovë dhe nga ku mund të shihet se ku do të bëhet tuneli që do të lidhë dy anët e rrugës.

Mbetet të shihet se cili do të jetë fati i kësaj rruge për shkak të raporteve të reja të Kurtit me qeverinë në Maqedoninë e Veriut (përfshirë BDI’në e Ali Ahmetit), e cila kërkoi hetime për tubimin në Tetovë ku mori pjesë Kurti për shkak të shfaqjes së simboleve që Shkupi i konsideroi provokuese.

Exit mobile version