Site icon PrishtinaPress

Kurti i shkruan letër Thaçit, e fton për takim ditën e nesërme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes së cilës letër ka kërkuar nga presidenti një takim gjatë ditës së nesërme, në mënyrë që t’i bashkërendojnë veprimet e përbashkëta rreth politikës së jashtme.

Kryeministri Kurti ka theksuar se prezantimi i Republikës duhet të jetë i njëzëshëm dhe se dallimet duhet të mbesin brenda vendit duke mos ndikuar kur e përfaqësojnë atë.

“Duke e parë që shteti me të cilin ne dëshirojmë të dialogojmë është i unifkuar me qëndrime të dëmshme karshi shtetit dhe pavarësisë së Kosovës, për këtë, por jo vetëm për këtë arsye prezantimi i Republikës duhet të jetë i njëzëshëm. Po e theksoj edhe një herë që  dallimet tona duhet të mbesin brenda vendit e të mos ndikojnë kur ta përfaqësojmë atë”, thuhet në letrën e Kurtit drejtuar Thaçit.

Kryeministri Kurti përmes një letre zyrtare kishte ftuar në takim Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, edhe më 13 shkurt, për të bashkërenduar qëndrimet për politikën e jashtme, para udhëtimit në Konferencën për Siguri në Munih të Gjermanisë.

Por, derisa kryeministri Kurti i bëri ftesë për takim presidentit Hashim Thaçi, ky i fundit veçse është nisur për në Munih të Gjermanisë.

Exit mobile version