Site icon PrishtinaPress

Kurti i obsesionuar me Thaçin, Veselin, Mustafën e Limajn, i sulmon edhe kur ata s’kanë asgjë në dorë

Në dy vitet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje është në pushtet, ndërsa Hashim Thaçi e Kadri Veseli në burg, si ish-krerë të UÇK-së. Por, LV-ja e Kryeministrit Albin Kurtit vazhdon t’i akuzojë ata se “nuk duan ta shohin Kosovën mirë”. 

Këtë të hënë kanë shpërthyer reagimet ndaj pushtetit, që vendosi t’i ndalë rrogat e mësimdhënësve, pasi që mbajtën grevë për përmbushjen e kërkesave të tyre.


Pikërisht sot, Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar në faqen e saj zyrtare një video, që nis me fytyrën e Presidentit Hashim Thaçi, ish-zëvendëskryeministrit Fatmir Limajt dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli. 

LV-ja akuzon ata se janë shkatërrues të shtetit dhe se nuk duan ta shohin Kosovën mirë. 

“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin. Herë vetëm e herë njëri me tjetrin. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme por praktikisht në një qëllim: Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihni veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion e si çka tjetër. Ishte vetëm një subjekt që s’ishte në anën e tyre, VETËVENDOSJE!”, thuhet në postimin e VV-së, të përcjell me një video. 

LV ka fituar zgjedhjet për të dytën herë më 14 shkurt të vitit 2021 dhe prej marsit të atij viti qeveris në vend. 

Ndërkaq Thaçi dhe Veseli mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, nën akuzat se kanë kryer krime kur ishin pjesë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. 

Limaj, që është pjesë e videos së LV-së, nuk ka kaluar pragun zgjedhor me partinë e tij dhe nuk është pjesë e Kuvendit. 

Në video shfaqet edhe fytyra e ish-kryeministrit Isa Mustafa, që është tërhequr nga skena politike, ish-kryeministrit tjetër, Ramush Haradinaj, dhe ish-kryediplomatit Behgjet Pacolli. Në videon e LV-së, ku janë apostrofuar ish-funksionarët, nuk është përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të LV-së , Mimoza Kusari, e cila ka qenë pjesë pushteteve të kaluara.

Video

Exit mobile version