Site icon PrishtinaPress

Kurti i gatshëm të shkojë në Romë me liderët tjerë të Ballkanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka mirëpritur iniciativën italiane për ta bërë Romën vendtakim të vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

Gjatë takimit me zëvendëskryeministrin e Italisë, Antoni Tajani dhe ministrin Italian të mbrojtjes, Guido Crosetto, Kurti iu ka përgjigjur pozitivisht kësaj ftese.

“Kryeministri Kurti mirëpriti interesimin dhe angazhimin e shtuar të Italisë për rajonin tonë, duke e shprehur edhe gatishmërinë e tij për t’iu përgjigjur pozitivisht një ftese në kuadër të planeve të Romës zyrtare për të ftuar në një organizim të përbashkët liderët e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit për Media.

 Në mirëseardhjen e tij, Kryeministri Kurti ka thënë se se Kosova dhe Italia kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme në fushën e ekonomisë, tregtisë, kulturës, sigurisë dhe mbrojtjes. A ka shprehur gatishmëri të punojnë së bashku me palën italiane për fuqizimin e tyre në shërbim të interesave të përbashkëta.

“Ai shprehu falënderimin e tij dhe të Republikës së Kosovës për kontributin e hershëm dhe të vazhdueshëm të Italisë në forma të ndryshme përgjatë gjithë fazave të historisë së re të Republikës së Kosovës. I njoftoi me zhvillimet e fundit në vend, performancën ekonomike të vendit, me theks te rritja ekonomike e shënuar në vitin 2021 dhe 2022 dhe trendin pozitiv të eksporteve dhe investimeve të huaja, dhe për reformat në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Gjithashtu, kryeministri Kurti, nënvizoi planet e Kosovës për aplikimin në Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti dhe synimet për të qenë pjesë e programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe ritheksoi aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në kuadër orientimin vleror dhe diplomatik të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, sipas ZKM, Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani, duke e falënderuar për mirëpritjen, ka thënë se vizita e delegacionit të Qeverisë italiane sot është shprehje e angazhimit më të fuqishëm të Italisë në Ballkanin Perëndimor. 

“Ai shprehu përkushtimin e Italisë për të kontribuar në zhvillimin, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, teksa ministri i Mbrojtjes, Crosetto dha mbështetjen dhe ofroi ndihmën e Italisë për Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, thuhet tutje.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zhvillimet e fundit në procesin e dialogut dhe për takimin e djeshëm në Bruksel. 

“Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri Kurti e njoftoi zëvendëskryeministrin Tajani për agjendën e takimit sipas ftesës së Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimin Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, qëndrimet e mbajtura dhe propozimet e dhënë në gjashtë takimet e datës 21 nëntor, dhe për vendimin e sotshëm për të shtyrë për 48 orë, sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zbatimin e fazës së dytë të vendimin për targat ilegale”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Exit mobile version