Site icon PrishtinaPress

Kurti i gatshëm për marrëveshje me Serbinë: Le të kryhet kjo punë me mua e Xhelalin, mos të ketë gjakderdhje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po zhvillon një konferencë për media së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në këtë konferencë i pari i ekzekutivit njoftoi se Serbia është duke përgatitur sulme të reja në drejtim të Kosovës.

Kurti gjatë kësaj konference foli për sigurinë në kufijtë e vendit, për të cilët tha se ruhen nga Policia e Kosovë dhe pjesëtarët e KFOR-it.

Ai gjithashtu foli edhe për rolin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, për të cilën tha se ka treguar rezultate të papara.

“Kufiri me Serbinë është më i gjati, 381km. Përveç kësaj është edhe terren kodrinoro-malor në një pjesë të konsiderueshme. Ajo çfarë po bëjmë ne dhe që duket se i ka zmbrapsur planet për sulm, është patrullimi i përbashkët me ushtarët e KFOR-it dhe kjo tashmë po ndodh. Policët tanë bashkë me pjesëtarë të KFOR-it patrullojnë përgjatë kufirit. Në anën tjetër kemi një inteligjencë shumë të suksesshme të Kosovës. Është e paparë puna e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Këto rezultate janë të papara në historikun e kësaj agjencie. Kur kësaj i shtohet bashkëpunimi me partnerët dhe aleatet tanë, ne jemi të përgatitur për çfarëdo sulmesh”, u shpreh Kurti.

I njëjti gjithashtu u shpreh se dëshiron që konflikti Kosovë-Serbi të mos bartet te brezi i rinj, ashtu si sipas tij po tenton të bëj Serbia.

“Për mua është e qartë, dikush në Beograd po dëshiron që konflikti t’i bartet brezit të ardhshëm. Unë dëshiroj që të mos ketë luftë më dhe ju brezat e rinj të mos e merrni vesh kurrë çka është lufta. Le të kryhet kjo punë me Xhelalin edhe me mua. Le të kryhet me brezin tonë, me brezin e Vuçiqit. Por mos të bartet konflikti, lufta, gjakderdhja edhe te brezi i ri”, tha Kurti.

Exit mobile version