Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urimi, kosovares Ylfete Fanaj me prejardhje nga Prizreni, e cila së fundmi u zgjodh Këshilltare Qeveritare në Lucern të Zvicrës.
Duke e cilësuar këtë si një arritje të jashtëzakonshme, kryeministri Kurti shtoi se posti që mban sot është i pari për një person me rrënjë nga Kosova dhe kështu shënohet edhe moment historik për komunitetin e shqiptarëve në Zvicër.
Kryeministri Kurti ka kërkuar nga Fanaj që teksa i shton përgjegjësitë si Këshilltare e Qeverisë, ta kujtojë përherë se i mban me vete shpresat dhe aspiratat e Kosovës.
“Nuk kemi asnjë dyshim se do të nxirrni ekspertizën, përkushtimin dhe pasionin tuaj për t’i shërbyer qytetarëve të Lucernit me integritetin maksimal”, thuhet në letër.
Në letrën e tij drejtuar Fanajt, kryeministri ka ftuar atë për një vizitë në Kosovë për të biseduar për bashkëpunim të mëtejshëm.