Site icon PrishtinaPress

Kurti i bindur se Kushtetuesja do ta vërtetojë si të drejtë ligjin për zyrtarët publikë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një interviste për KosovaPress, ka komentuar edhe dërgimin e ligjit për zyrtarët publikë nga opozita në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se Kushtetuesja do ta vërtetojë si ligj të drejtë dhe të mirë, ashtu siç kanë besuar ata në Qeveri dhe deputetët kur e kanë votuar.

Ai ka thënë se gjatë punës për projektligjin, çdoherë kanë pasur parasysh konkluzionet e aktgjykimit të mëhershëm të Kushtetueses.

“Ne e kemi pas parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për zyrtarët publikë dhe kur e kemi shkruar projektligjin për zyrtarët publikë, i kemi pas gjithmonë në mendje edhe konkluzionet e atij aktgjykimi. Tash opozita iu është drejtuar edhe një herë Gjykatës Kushtetuese, le të vërtetohet që ky ligj ishte i drejtë dhe i mirë, siç kemi besuar ne nga fillimi dhe ashtu siç kanë besuar deputetët e Kuvendit e Kuvendit kur e votuan atë, tha ai.

Përndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës sot i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për interpretimin e Ligjit për Zyrtarët Publik, i miratuar së fundi në Kuvendin e Kosovës.

“Vlerësojmë se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, është në kundërshtim me marrëveshjen ndërkombëtare të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës që është Marrëveshja për Stabilizim Asocimin dhe po ashtu është në kundërshtim me ligjet e tjera. Prandaj vlerësojmë se edhe në përmbajtje edhe në frymë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës po ashtu është edhe në shkelje të procedurave dhe rregullave të Kuvendit të Kosovës. Prandaj ne vlerësojmë që ky ligj vendimi për këtë ligj që do të merret nga Gjykata Kushtetuese do të jetë që ligji është antikushtetues”, tha shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Exit mobile version