Site icon PrishtinaPress

Kurti godet Isufajn: Po do të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të krerëve shtetërorë, asnjë rast s’e ka fitu në Gjykatë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në seancën e sotme të Kuvendit, ka kritikuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn, i cili dje arrestoi kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, që njihet si ‘Njeriu i VV-së’.

Kurti tha se Isufaj dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të krerëve të shtetit, teksa ia përmendi atij rastet e hetimit të vetëvrasjes së Dino Asanajt dhe vrasjes së Hamdi Sopës.

Ai është shprehur i bindur që në Prokurori ekziston një disponim politik negativ karshi Qeverisë së tij. Kjo sipas tij lidhet më kryeprokurorin Isufaj.

“Unë nuk kam dyshim që në prokurorinë e shtetit dhe atë sa më lart aq më shumë, ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes sonë, jo vetëm ndaj meje, dhe jo vetëm ndaj qeverisjes tonë por edhe ndaj pushtetit të ri dhe kjo lidhet më shumë me figurën e prokurorit Blerim Isufaj. Bëhet fjalë për një prokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që rastin e vrasjes se ish shefit te AKP-së, Dino Hasanaj e kategorizoi me vetëvrasje, ndërsa rastin e vetëvrasjes së Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje. Bëhet fjalë për një prokuror i cili asnjë rast nuk ka të fituar në gjykatë, dhe ky dëshiron të bëhet kryeprokuror, përkundër vullnetit të Presidentes, Kryeministrit dhe Kryeparlamentrit. Është siklet i madhe për një njeri, i cili përkundër këtyre, e përvojës se hidhur të vendit me të, dëshiron të bëhet kryeprokuror”, tha Kurti.

Ai e ka quajtur gëzim opozitar, reagimin e partive të opozitës lidhur me arrestimin e Krasniqit.

“Nagip Krasniqi është në burg dhe ai me siguri e sheh në TV këtë gëzim opozitar për të. Nuk është hera e parë që kemi gëzim në sallë të kuvendit për njerëzit të cilët janë në burg, me sistemin prokurorial i cili nga viti ne vit është gjykuar nga raportet ndërkombëtare”, tha Kurti.

Sipas kryeministrit, drejtësia lëngon dhe për këtë ka fajësuar Prokurorinë, duke thënë se e ka kritikuar publikisht.

“Vendi më i lakmuar në republikën tonë del të jetë pozita që bën alokimin e rasteve e ky është kryeprokurori i shtetit. Drejtësia lëngon pasi kemi një prokurori që nganjëherë s’don e nganjëherë s’din. E kam kritiku edhe publikisht sidomos ato speciale”, tha i pari i Qeverisë.

Në fund të fjalës së tij, Kurti tha se Blerim Isufaj nuk do të mund të bëhet kryeprokuror.

“Ky njeri po dëshiron të bëhet Kryeprokuror. E nuk do të mundet, sepse këtu ka edhe Republikë edhe popull”, tha Kurti.

Kujtojmë se edhe deputetët e VV-së Halil Thaçi, Arbër Rexhaj, Artan Abrashi e Adnan Rrustemi, kanë sulmuar Prokurorinë pas arrestimeve në KEK, duke thënë se kjo është hakmarrje e Blerim Isufajt që nuk po bëhet Kryeprokuror./PrishtinaPress/

Exit mobile version