Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar 22 korrikun e 2010-ës kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se pavarësia e Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Kurti këtë e quajti vulën përfundimtare që iu dha shtetësisë së Kosovës.
“Në këtë ditë të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – gjykata më e lartë e OKB-së – vendosi që shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke i dhënë një vulë përfundimtare asaj që ata që mbështesin të drejtat e njeriut dhe drejtësinë e dinin gjatë gjithë kohës”.
Për këtë ka shkruar më herët edhe presidentja Osmani, e cila tha se vendimi i kësaj gjykate është thirrje për vendet që s’e kanë njohur ende Kosovën, të ndërrojnë qëndrim.
“13 vjet më parë, GJND konfirmoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelë ligjin ndërkombëtar. 13 vjet më vonë, ky opinion historik mbetet një thirrje për vendet që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë, të bashkohen me demokracitë në mbarë botën dhe të njohin realitetin e pakthyeshëm të Republikës sonë sovrane”.