Site icon PrishtinaPress

Kurti: Gjermania e bashkuar, argument se bashkimi kombëtar nuk sjell destabilizim

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar sot 30 vjetorin e bashkimit të Gjermanisë, duke thënë se “për neve shqiptarët, është model që mbështet argumentin se bashkimi kombëtar nuk sjell destabilizim, por balancim, zhvillim, demokratizim e paqe”.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Nëntori, i shenjtë për gjermanët, fillon me ditën e tyre, nëntori i shenjtë për ne, mbaron me ditën tonë”.

Postimi i plotë i Kurtit:

“30 vjet Gjermani e Bashkuar

Miq të Kosovës, sepse miq të drejtësisë universale e të ligjshmërisë në marrëdhënie ndërkombëtare. Miq të shqiptarëve, sepse dy popujt e kanë provuar se ç’do të thotë të jesh nën regjime diktatoriale, të cilat imponojnë ndarjen.

Sot ua uroj të gjithë gjermanëve ditën e Bashkimit të Gjermanisë. Ua uroj edhe bartësve të institucioneve, Kancelares, Ambasadorit në Kosovë dhe Kryetarit të SPD-së.

Gjermania është shembull e model, për zhvillim përmes punës e dijes, përmes ndershmërisë e shtetit. E po ashtu, për neve shqiptarët, është model që mbështet argumentin se bashkimi kombëtar nuk sjell destabilizim, por balancim, zhvillim, demokratizim e paqe.

Shumë vende perëndimore e fqinje ishin të shqetësuara atëbotë, dhe kundërshtuan bashkimin e dy Gjermanive. Por sot të gjithë janë të kënaqur me Gjermaninë, lokomotivë e BE-së, garantuese e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, promovuese e marrëdhënieve të mira mes shteteve.

Nëntori, i shenjtë për gjermanët, fillon me ditën e tyre, nëntori i shenjtë për ne, mbaron me ditën tonë”, ka shkruar Kurti.

Exit mobile version