1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Kurti gati për takim me Vuçiqin, ka pritje që marrëveshja të nënshkruhet në fund të marsit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen, pasi të dy tashmë e kanë pranuar propozimin europian për normalizimin e marrëdhënieve. Pritjet janë që marrëveshja të nënshkruhet deri në fund të marsit. Nga Brukseli thonë se për takimin do të njoftojnë kur të jetë e përshtatshme.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është intensifikuar me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve të cilët po bëjnë përpjekje që sa më shpejt t’i bëjnë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq që ta nënshkruajnë marrëveshjen e cila për bazë do ta ketë propozimin europian, të cilin të dyja palët tashmë e kanë pranuar.

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak erdhi në Prishtinë më 6 shkurt dhe në një drekë pune me kryeministrin Albin Kurti, nga ky i fundit e mori përgjigjen e kërkuar për propozimin europian. Kurti e pranoi propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Kurti e tregoi pozicionin e ri përmes një postimi në Tëitter dhe diskutimin me Lajçakun e quajti “shumë të mirë”. I dërguari i BE-së, ndërkaq, paralajmëroi një takim Kurti-Vuçiq së shpejti. Qëndrimi i Kurtit u mirëprit edhe nga SHBA-ja.

“Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë”, shkroi Lajçak ndër tjerash.

Në fund të marsit

Nga Brukseli i thanë Gazetës Express se do të njoftojnë për takimin e ardhshëm ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, pa treguar se kur mund të mbahet dhe nëse aty do të synohet nënshkrimi i marrëveshjes.

“Si gjithmonë, ne do të njoftojmë për çdo takim të ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut nëse dhe kur është e përshtatshme”, tha Zoï Muletier, zyrtare shtypi për politikë të jashtme dhe siguri në BE.

Kryeministri Albin Kurti e ka përmendur fundin e marsit si afat për nënshkrimin e marrëveshjes dhe Qeveria e ka këtë pritje. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, e konfirmoi këtë në një intervistë për “Euroneës Serbia” më 12 janar, ku u pyet edhe nëse është reale kjo pritje.

“Sa është reale është një pyetje tjetër, por marrëveshja e nënshkruar, pra e arritur më 23 nëntor, caktoi afatin se kur duhet mbajtur mbledhja e radhës e grupit special për normalizimin në Kosovë dhe BE. Prandaj, tashmë është rënë dakord që takimi të bëhet në fund të muajit mars. Kjo është arsyeja që zoti Kurti përmend fundin e marsit si afat për nënshkrimin e marrëveshjes. Nëse deri atëherë e kuptojmë se Serbia nuk ka ndërmend të jetë konstruktive gjatë dialogut, kjo do të thotë se procesi i nisur më 23 nëntor do të pezullohet dhe Kosova do të mund të vazhdojë të shqiptojë gjoba për targat ilegale që ende lëvizin nëpër Kosovë”, tha Bislimi.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko pret intensifikim të procesit, duke evidentuar gatishmërinë e Kurtit për takim.

Biserko tha të shtunën për “Danas” se Ballkani është “mbi të gjitha çështje sigurie”. Prandaj, ajo tha se është reale që Kurti dhe Vuçiq të ftohen në Bruksel për ta nënshkruar propozimin në fund të marsit.

Kurti: Propozimi kryesor, fare pranë formatit “merre ose leje”

Kurti të hënën në Kuvend tregoi se në vizitën e fundit të diplomatëve europianë e amerikanë në zyrën e tij më 20 janar, ata i kanë thënë se propozimi i dytë, ai “përfundimtar”, është gati “merre ose leje”.

“Ata ma bënë të qartë që propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit ‘merre ose leje’. Nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negocimi i tij”, tha ai.

Kryeministri tregoi se ishte parlajmëruar edhe për pasojat e refuzimit.

“Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vinin emisarët është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta. Ata gjithashtu ma bënë të qartë që çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën, dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre”, tha Kurti.

Më afër Asociacionit

Kryeministri Albin Kurti duket se do ta lë Asociacionin të kalojë, por për këtë ka vendosur gjashtë kushte, të cilat i bëri publike në një seancë të Kuvendit në fillim të muajit.

Pasi e lavdëroi propozimin europian të cilin e ka pranuar, Kurti në seancën e fundit të Kuvendit të hënën e përmendi Asociacionin si “pikë shumë kontestuese” në atë dokument.

“E vetmja pikë shumë kontestuese është ajo që lidhet me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara të Brukselit, shumica nga të cilat fatkeqësisht janë marrëveshje që kanë në përmbajtje elementin mono-etnik, atë territorial dhe atë të monopolizimit të përfaqësimit të komunitetit serb në duart e Listës Serbe që kontrollohet nga Beogradi”, tha ai.

Formimi i Asociacionit tashmë është kërkesë e prerë e SHBA-së dhe përpjekja për ta bindur Kosovën që ta implementojë atë marrëveshje është bërë edhe praktike. Në fund të janarit, një diskutim për këtë çështje u bë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë dhe aty morën pjesë edhe përfaqësues të Qeverisë. Atë e pasoi një mbledhje jozyrtare në rezidencën e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier më 9 shkurt.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img