Site icon PrishtinaPress

Kurti fton ndërkombëtarët të mbajnë qëndrim pas sulmit ndaj gazetarëve

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar edhe një herë sa i përket sulmit ndaj gazetarëve në Leposaviq.

Ait hotë se grupet ekstremiste serbe që po kontrollohen nga Beogradi nuk po e durojnë dot as policinë e as gazetarët.

Duke përmendur një nga një, të gjithë gazetarët dhe kameramanët e lënduar sot, Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të mbajnë qëndrim karshi këtyre sulmeve.

“Grupe ekstremistësh të kontrolluara nga Beogradi nuk e durojnë dot as policinë e as gazetarët. Policia e Kosovës i shërben drejtësisë dhe ligjit, gazetaria e Kosovës i shërben demokracisë dhe transparencës.

Sot në Komunën e Leposaviqit nga bandat kriminale janë sulmuar gazetarët që ishin të pranishëm gjatë përpjekjeve të disa individëve për të shkaktuar trazira e dhunë.

Kameramani Bardh Bekteshi dhe gazetarja Dorentina Thaqi, kanë pësuar lëndime në kokë dhe trup. Kameramanët tjerë, Albin Rrahmani dhe Ardijan Shala kanë pësuar lëndime në trup. Në këmbë janë lënduar gazetaret, Laura Kerolli e Qendresa Sinani, kurse në krah ka marrë lëndime gazetari Pleurat Salihu.

Urojmë shërim të shpejtë për kameramanët dhe gazetarët. Ftojmë institucionet dhe diplomatët ndërkombëtarë të mbajnë qëndrim, dhe të mbështesin institucionet e Kosovës që të sjellin para drejtësisë të gjithë sulmuesit e Policisë së Kosovës, KFOR-it e sidomos gazetarëve” thotë Kurti.

 

Exit mobile version