Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të flasë të mërkurën për takimin e 18 gushtit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Nga Qeveria e Kosovës nuk kanë konfirmuar gjashtë pikat e marrëveshjes finale me Serbinë, që sipas Vuçiq janë paraqitur nga Kurti javën e kaluar në Bruksel. Mirëpo, zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, bëri të ditur për KosovaPress se Kurti këtë të mërkurë në adresimin e tij gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës do të flasë për takimin me Vuçiq.
Nga ana tjetër, diskutimi për elementet e marrëveshjes finale dhe përfshirja e tyre në diskursin publik konsiderohet si pozitive.
Njohësi i procesit të dialogut, Arton Muhaxhiri, thotë për KosovaPress se opinioni publik në Kosovë dhe Serbi duhet të familjarizohet me temën e marrëveshjes finale dhe pastaj të krijohet një momentum i ri për arritjen e ujdisë.
Megjithatë, ai thotë se kreu qeveritar duhet të ketë një alternativë për secilën prej gjashtë pikave të prezantuara për marrëveshjen finale.
“Është shumë mirë që temat e tilla që janë të rënda të përfshihen në diskursin publik, të flitet për to. Në këtë mënyrë edhe opinioni në Kosovë dhe ai në Serbi familjarizohen me këto tema dhe krijohet një momentum i ri. Por gjithsesi, kryeministri Kurti është i vetëdijshëm që këto janë tema shumë të vështira dhe për secilën prej tyre duhet të ketë një opsion, alternativ, pasi është e pritshme që as idetë e Kosovës dhe të Serbisë të mos pranohen “blanko”, por të ketë negocime të shumta për secilën prej atyre pikave. Qeveria e Kosovës duhet të mobilizohet maksimalisht që prej secilës prej tyre të ketë ndonjë ide për kompromiset, të cilat nuk e dëmtojnë kauzën tonë, por e mundësojnë arritjen e një marrëveshje…Është e logjikshme që marrëveshja përfundimtare t’i përfshijë të gjitha çështjet e rëndësishme mes Kosovës dhe Serbisë, edhe ato të dhimbshme dhe ato historike. Mirëpo për gjitha këto, Qeveria duhet të ketë përgjigje edhe për kërkesat e ndërkombëtare”, thotë ai.
Ndërsa, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, thotë për KosovaPress se diskutimi për marrëveshjen finale është një këndellje e Kurtit dhe fillimit të sjelljes së tij si kryeministër, pasi, sipas tij nuk duhet të zvarritet dialogu, por të shkohet drejt ujdisë finale.
“Nuk kam pritur ndonjë marrëveshja nga ky takim, por nëse është e saktë nga disa burime të brendshme, megjithatë ka pasur elemente për marrëveshje gjithëpërfshirëse, atëherë e konsideroj si një këndellje të kryetarit të Vetëvendosjes dhe fillimit të sjelljes së tij si kryeministër. Do të uroj që të jetë ashtu sepse interesi i Kosovës nuk është zvarritja e dialogut, por marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë”, tha ai.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dje tha se kryeministri Kurti në takimin e fundit ka paraqitur gjashtë pika, në kuadër të marrëveshjes finale.
Sipas tij, në kuadër të parimeve të përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe nga pala kosovare është paraqitur, njohja reciproke dhe anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, zgjidhja e problemeve nga e kaluara, zgjidhja e problemit të të pagjeturve, konstatimi dhe zgjidhja e problemit të personave të përdhunuar, të zhvendosurve, shkatërrimi i pronës private dhe publike. Kthimi i objekteve, dëmshpërblimet e luftës që Serbia duhet t’i paguajë të gjitha. Pastaj bashkëpunim në të ardhmen, respektim reciprok për të drejtat e serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës.