Site icon PrishtinaPress

Kurti emëron 20 këshilltarë, këta janë emrat e tyre

Kabineti i kryeministrit Albin Kurti, ka hiç më pak se 20 këshilltarë politik, ku dy prej tyre janë pro-bono, që nuk paguhen nga buxheti i shtetit.

Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, KALLXO.com ka siguruar emrat e zyrtarëve politik dhe administrativ në kabinetin e kryeministrit Kurti dhe rrogat e tyre.Qeveria Kurti 2 u formua më 22 mars të këtij viti, pasi Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Të dhënat e siguruara nga Ministria e Financave, tregojnë se paga bazë e kryeministrit të Kosovës është 1 mijë e 500 euro. Ndërsa, shef i stafit të Kurtit është Luan Dalipi i cili njëherësh mban pozitën këshilltar i lartë politik.

Shefi i stafit të Zyrës së Kryeministrit ka pagën prej 1 mijë e 321 euro, kurse paga e këshilltarit të larte politik është 720.72 euro.

Qeveria e Kosovës i ka edhe dy zëdhënës, Përparim Kryeziun dhe Rozafa Kelmendin, të cilët njëherësh janë edhe këshilltar politik në Zyrën e Kryeministrit. Këshilltarët politik në ZKM e kanë rrogën 600.60 euro. Shenaj Shala është këshilltare politike dhe përgjegjëse për protokoll në ZKM.

Kurse, këshilltarë të tjerë politik janë edhe Jeton Zulfaj, Fëllanza Podrimja, Merdzan Osmani, Edison Beciri, Egzonit Jakupi, Lulëzon Jagxhiu. Valbone Mehmeti është këshilltare politike për media, Riat Nuredini, këshilltar politik për siguri.

Në ZKM, Valë Gjonbalaj-Azemi, është zyrtare e lartë ekzekutive, Arta Berisha zyrtare e lartë administrative, Patrik Domi fotograf, Ismail Hakki Ustaibo mban pozitën e zyrtarit të lartë të protokollit dhe Liman Hoti zyrtar i sigurimit dhe vozitës. Ndërkaq, këshilltarë të jashtëm politik të kryeministrit Kurti janë Erzen Vraniqi dhe Tienmu Ma, këshilltar i jashtëm politik. Asnjë nga ta nuk paguhet nga buxheti i shtetit.

Në ZKM, Ibrahim Makolli është kryetar i delegacionit për bisedime për çështjen e personave të zhdukur (vazhdon nga 2016, emëruar me vendim të Qeverisë).

Ish-kryeministri Avdullah Hoti pas një muaji qeverisje në kabinetin e tij kishte mbledhur 14 këshilltarë politik.

Kurse ish-kryeministri Haradinaj kujtohet për numrin e madh të zëvendëskryeministrave, ministrave dhe zëvendësministrave. Këta të fundit kishin kaluar numrin 80.

Exit mobile version