Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për lirimin nga detyra të ekipit menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin edhe funksionin e vet, andaj ne nuk kemi më arsye që ta dëgjojmë ekipin menaxhues që çka pati për të thoshte e tha në Bruksel më 2 maj. Unë besoj që të gjithë e kanë të qartë se ekipit menaxhues i ka përfunduar puna andaj edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe më e logjikshme”, tha ai.
“Hapat e radhës besoj se do të jetë një takim i yni me ndërmjetësit. Besoj se kjo do të ndodhë gjatë këtij muaji. Pas këtij takimi do të mund të shohim cilët do të jenë hapat tjerë përpara dhe këta hapa do të jenë vetëm për zbatimin dhe sekuencimin e zbatimit”.
“Ndërmjetësit nuk dhanë vlerësim për atë, mirëpo pala serbe nuk pranoi as ta marrë për lexim. Ne e kemi dëgjuar ekipin menaxhues, ne e kemi lexuar propozimin e tyre, ne kemi dhënë mendimin tonë mospajtues, ndërsa për propozimin tonë nuk kemi përgjigje nga ndërmjetësi. Ky draftvizion që e kam prezantuar unë aty është i inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht për pakicën serbe… Marrëveshjen për modelin për mbrojtjen e pakicës serbe në Kroaci e ka pranuar edhe Serbia, prandaj ne kemi konsideruar që ky është vendi që ne do të mund të marrim frymëzimin tonë. Nëse Serbia e ka pranuar këtë gjë me Kroacinë, konsiderojmë që do të duhet ta pranojë edhe me ne. Nuk jam i interesuar as t’i kontrolloj serbët, as t’ua shkelë të drejtat as atyre, asnjë minoriteti, as një qytetari të republikës. Në veçanti për nenin 7 të marrëveshjes bazë kam ofruar një draftvizion që shpresoj se do të marr një vlerësim nga ndërmjetësit evropianë”, ka deklaruar ai.