Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka drejtuar kritika ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, BE-ja dhe ShBA-ja kanë qenë të buta ndaj Serbisë, duke shtuar se duhet të caktojnë një ultimatum për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Sipas Kurtit, vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë nga Serbia, dëshmon se serbët e duan integrimin në BE.
Në këtë artikull, Financial Times ka përmendur tensionet e fundit në veriun e vendit, gjithashtu edhe sulmin terrorist në Banjskë. Theksohet fakti se serbët kanë bojkotuar zgjedhjet për kryetarë të komunave, dhe faktin se kryetarët janë shqiptarë.
Ai foli edhe për dallimet me partnerët ndërkombëtarë.
“Kurti pranoi se ka ‘ndonjëherë dallime’ me aleatët e tij evropianë dhe amerikanë ‘kur bëhet fjalë për strategjitë, operacionet dhe taktikat në terren nga njëra anë, dhe kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Serbinë’, por jo për vlerat apo parimet”, shkruan Financial Times.
Ai tha se qasja “e butë” e perëndimit ishte “pasojë e shpresës së madhe se sa më shpejt Serbia do të hidhet në kampin demokratik perëndimor.
“Sipas mendimit tim, ne kemi pritur shumë gjatë për të qenë ende me shpresë”, tha kryeministri Kurti.