Site icon PrishtinaPress

“Kurti e kërcënoi Albrightin nëse vjen në Kosovë”, çka thoshte ambasadorja amerikane para 10 vitesh

Homazhet të busti i Albrightit, kryeministri Kurti i shoqëroi me fjalët më të ndjera për ish-Sekretaren amerikane, që vdiq dje. Por, para 10-vjetësh, ish-ambasadorja Jacobson fliste për disa kërcënime që Kurti ia kishte bërë Albrightit, nëse ajo e viziton Kosovën.

Kryeministri Albin Kurti, pas homazheve që bëri te busti i ish-Sekretares amerikane, Madeleine Albright, që vdiq dje, tha se ndalja e gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë, mban vulën e saj. Për këtë, tha ai, “i jemi përjetë falëndërues e mirënjohës”. 

Dhjet vjet më parë, ish-ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, thoshte se nuk mund ta pranonte gjuhën e Lëvizjes Vetëvendosje karshi shtetit të saj. Ambasadorja fliste për një letër, që, sipas saj, lideri i LVV-së, Albin Kurti ia kishte dërguar aleates së madhe të Kosovës, ish-Sekretares Albright. 

“Kam parë letrën që ai i kishte dërguar z. Madeleine Albright, shefes sime të mëhershme, ku ai e kërcënonte se bashkë me miq dhe familjarë, do të ballafaqohej me të në rrugë, nëse ajo do të vinte në Kosovë”, kishte thënë Jacobson në Klan Kosova, transmeton Gazeta Express. 

Jacobson thoshte se nuk mund të vendoste raporte me LVV-në, pa e ndërruar qasjen dhe taktikat e saj vepruese kjo Lëvizje, që më vonë u bë parti, e e mori pushtetin. 

Atë kohë, ish-bashkëpunëtori i afërt i Kurtit, Dardan Molliqaj, në cilësinë e sekretarit organizativ të LVV-së, mohonte se Kurti e ka kërcënuar në letër Albrightin. 

“Nuk bëhet fjalë për kërcënime e as shantazhe. Ato letra janë publike dhe janë të çuara në emër të qytetarëve dhe janë prej postave elektronike të qytetarëve të Kosovës”, ishte shprehur Molliqaj. 

Kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, që po e shoqëronte Kurtin në homazhe, tha sot se populli i Kosovës nuk do ta harrojë e do të jetë mirënjohës për kontributin që dha Albright për çlirimin e vendit.

“Populli i Kosovë kurrë nuk do ta harrojë e do të jetë mirënjohës për kontributin e jashtëzkaonshëm që ka thënë Albright për çlirimin e popullit tonë. Së bashku me Clinton ishin forca shtytëse për ta ndalë gjenocidin e Serbisë mbi popullin e Kosovës”, tha Konjufca ndër të tjera, transmeton Express.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti tha se Albright ishte aq profesionale në secilën prej asaj çfarë bënte e thoshte.

“Cdo herë kur fliste, vepronte ose shkruante, ishte aq profesionale në secilën prej asaj cfarë bënte e thoshte, saqë nuk mund të quhet profesioniste, për shkak të qenies së saj të gjithanshme”, tha Kurti sot para bustit të ish-sekretares, në Prishtinë. /Express/Video: KlanKosova 

Exit mobile version