“Në vendin tonë kemi nevojë për shtim të numrit të çerdheve, për të përmirësuar qasjen dhe përfshirjen në edukim. Fëmijët dhe të rinjtë janë prioritet i Qeverisë sonë’’.
Kështu u deklarua kryeministri Albin Kurti në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të çerdhes në fshatin Miresh të komunës së Gjilanit.
Ai tha se është vërtetuar nga “pa numër studime”, që në masën në të cilën edukimi është edhe i hershëm edhe cilësor, përcaktohet edhe suksesi e të arriturat në jetën e mëtutjeshme profesionale të fëmijëve.
“Andaj edhe jemi zotuar se do të angazhohemi për mbështetje të sektorit të arsimit, e veçanërisht zhvillimit të edukimit në fëmijërinë e hershme”, tha Kurti, siç njofton Zyra e Kryeministrit.
Nga Mireshi, Kurti u zotua se deri në fund të vitit çerdhe për fëmijë do të hapen në Prizren e në Suharekë, kurse në vazhdën e punimeve për ndërtimin dhe adaptimin e hapësirave, pritet të bëhen çerdhe edhe në Skenderaj, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Junik, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Shtime dhe Malishevë.
Kurti në Gjilan ishte i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Ministrja Nagavci në fjalën e saj tha se zhvillimi në fëmijërinë e hershme është një nga pikat e rëndësishme të programit të Qeverisë.
“Vetëm gjatë muajit shtator janë nënshkruar kontratat për ndërtimin e pesë çerdheve, ndërsa theksoi se synojmë të kemi sa më shumë çerdhe në fshatra për t’iu dhënë mundësi edhe këtyre fëmijëve të kenë qasje në edukimin e hershëm dhe si rezultat edhe në zhvillimin e familjes”.
Kjo çerdhe është investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit dhe do të ketë një sipërfaqe prej 708 metra katrorë, e përshtatshme për 60 fëmijë. Tri dhoma do të jenë për qëndrim të fëmijëve nga 0 deri në 2 vjeç, dy dhoma për fëmijë nga 3 deri në 4 vjeç, një sallë për kujdestarë, administratë, kuzhinë, si dhe hapësira teknike.
Në fund të muajit shtator ishin nënshkruar kontratat për ndërtimin e pesë çerdheve të reja në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë, Kamenicë dhe në Miresh të Gjilanit, të cilës iu vendos gurthemeli sot./Prishtinapress/