Site icon PrishtinaPress

Kurti e heq kravatën, kthehet për pak në rolin e opozitarit në Prishtinë

Albin Kurti sot e diele, ka hequr për pak kostumin dhe kravatën që e mban gjatë gjithë kohës si kryeministër i vendit, dhe është kthyer për pak në rolin e opozitarit, që e bëri për vite të tëra.

Kurti së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, që është edhe kryetar i Degës së Vetëvendosjes në Prishtinë kanë mbajtur një takim me anëtarët e VV-së, ku kanë folur për opozitarizmin që partia e tyre do të bëjë në kryeqytet ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës që janë në koalicion qeverisës, shkruan Reporteri.net.

Në postimin e publikuar nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Kurti shihet duke shkruar diçka në një letër dhe duke mbajtur fjalim para anëtarëve të partisë së tij në kryeqytet, ndërsa afër tij qëndrojnë Ali Rama që është sekretar organizativ i VV-së dhe Shqipe Selimi, deputete nga VV.

Në komunikatën e lëshuar nga Qendra e VV-së në Prishtinë thuhet se këtë vit do t’i shtojnë aktivitetet e tyre, sepse siç pohojnë nevojat po shtohen.

Postimi i plotë i Qendrës së VV-së në Prishtinë:

???? Kanë vazhduar punimet në ditën e dytë të punëtorisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! – Qendra Prishtinë. Gjatë ditës së sotme, përveç Kryetarit të Qendrës, Arben Vitia, të pranishëm ishin edhe Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti dhe Sekretari Organizativ, Alim Rama.

Vizioni qeverisës; Qyteti për publiken; Qytetari në qendër; Urbanizmi progresiv; – ishin tema ku u fokusuan diskutimet tona dy ditore. Viti që shkoi i dha Prishtinës një opozitë të re. Formë e re e opozitës.

Krahas kësaj, në këtë vit do t’i shtojmë aktivitetet tona sepse nevojat po shtohen. Me zgjedhjet e reja në Organizatën tonë ne kemi krijuar struktura të reja të cilat do të jenë afër qytetarëve.

Exit mobile version