Sa ishte në opozitë, Albin Kurti kishte bërë një premtim ndaj Turqisë. Në një takim me ambasadorin turk në Prishtinë, Kurti ishte zotuar se do ta shqyrtojë vendimin e Kosovës për të vendosur ambasadën e saj në Jerusalem, një hapë që atëbotë ishte kritikuar ashpër nga BE-ja. Ndonëse Kurti ka kaluar më shumë se tri në pushtet, zotimi nuk është mbajtur. Për më shumë, Qeveria Kurti i ka thelluar marrëdhëniet me Izraelin.
Gjatë një takimi në vitin 2021, Kurti i kishte premtuar ambasadorit të Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, se do të shqyrtojë vendimin për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.
“Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, Kurti tha se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim, ndërsa rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje” – thuhej në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Që nga marsi i vitit 2021, Kurti është në pushtet, duke udhëhequr me Qeverinë e Kosovës. Përkundër marrëdhënieve të mira me Ankaranë zyrtare, Kurti nuk është se ka marrë ndonjë veprim në lidhje me Ambasadën e Kosovës në Jerusalem. Ambasada e Kosovës vazhdon të mbetet në Jerusalem, bash sikurse në kohën e premtimit të Kurtit për “shqyrtim”.
Madje, sot Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Izraelit kanë nënshkruar një marrëveshje përmes sëcilës qytetarët e dy vendeve do të udhëtojnë tash e tutje pa viza në drejtimit të shteteve përkatëse. Në një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ministrja Donika Gërvalla dhe Ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbelin, nënshkruan këtë marrëveshje, e cila garanton udhëtimin pa viza mes Kosovës dhe Izraelit.
Përveç Gërvallës, me Arbelinin u takuar edhe kryeministri Kurti, i cili ka theksuar se marrëdhëniet me shtetin izraelit po zgjerohen.
“Kryeministri Kurti i uroi fillimisht mirëseardhje ministrit Arbel, veçanërisht me rastin e marrëveshjes e cila do të nënshkruhet sot mes dy shteteve tona për heqjen e regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës. Ai e vlerësoi këtë marrëveshje si zhvillim pozitiv në marrëdhëniet Kosovë-Izrael, por edhe lajm i mirë për qytetarët tanë, i cili vjen 6 muaj pasi u arrit dhe liberalizimi i vizave me zonën Shengen. Vizitat e ndërsjella dhe marrëveshjet e nënshkruara në fusha e sektorë të ndryshëm mes nesh, janë rezultat i zgjerimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Izraelit. U nënvizua rëndësia e fuqizimit edhe më tej të bashkëpunimit ekonomik, rritjes dhe promovimit të shkëmbimeve tregtare, për të cilën kryeministri dhe i ftoi kompanitë dhe investitorët izraelit që të hulumtojnë e njohin prej së afërmi ambientin e përshtatshëm të të bërit biznes që ofron Kosova” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.