Kryeministri Albin Kurti ka dhënë sot disa shembuj se sa do t’i paguajnë faturat konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kWh energji elektrike në muaj.
Ai tha se për personat që shpenzojnë deri në 800 kWh nuk do të ketë rritje të çmimit të rrymës, ndërkaq për ata që shpenzojnë mbi 850 kWh, sipas Kurtit rritja e çmimit në faturë do të jetë për 5%.
“Për konsum deri në 800 kWh nuk do të ketë rritje. Në rastin e konsumin 850 kWh, duke llogaritur një raport mesatar 60/40 të tarifës së lartë dhe asaj të ulët, dallimi në mes të faturës së re dhe asaj të vjetër do të jetë minimal. Nga 49.67 euro në 52.19 euro. Pra një rritje prej rreth 5% ose 2.5 euro më shumë në muaj”, ka thënë ai.
Kurti ka përllogaritur edhe çmimin e faturës që do të paguajnë qytetarët që shpenzojnë mbi 1000 kWh energji elektrike në muaj.
“Në rast të konsumit të 1000 kWh duke llogaritur sërish një raport mesatar 60/40 të tarifës së lartë dhe të ulët, dallimi në mes të faturës së vjetër dhe asaj të re do të jetë rreth 17%. Nga 58.10 euro në 68.18 euro. Pra 10 euro më shumë në muaj për ata që konsumojnë 1 megavat orë në muaj”, tha ai.
Ndërkaq për personat që shpenzojnë mbi 1200 kWh, kryeministri tha se do të ketë rritje të shumës në faturë për 29%.
Në rast të konsumit 1200 kWh në muaj duke llogaritur një raport 60/40 të tarifës së lartë dhe asaj të ulët, dallimi në mes të faturës së vjetër dhe asaj që do të jetë pak më e lartë. Nga 69.35 euro në 89.51 euro një rritje prej 29% ose 20 euro”, ka thënë ai.