Presidenca ka reaguar pasi që kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e ka autorizuar ministrin e Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitinë, që të marr vendim për kufizim të lëvizjes, si masë parandaluese ndaj përhapjes së koronavirusit.
Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj ka shkruar në Facebook se qeveria në dorëheqje mbrëmë e ka zbuluar gënjeshtrën e vet.
Ai thotë se me autorizimin e djeshëm, kanë zbuluar se Ministria e Shëndetësisë nuk ka vendosur për karantinimin e veriut, sepse nuk kanë pasur as autorizim.
“Plus edhe më herët, edhe mbrëmë, iu paskan referuar Ligjit për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, i cili është ligj i aprovuar nga UNMIK-u dhe si autoritet përfundimtar e ka Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke u bazuar në rezolutën 1244, jo Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky ligj ishte aprovuar dhe kishte hyrë në fuqi përmes një rregulloreje të UNMIK-ut nga shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, më 5 maj 2008, para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Dihet që asnjë ligj atëherë nuk zbatohej pa u fuqizuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm. Edhe, më 19 mars, Sveçla si u.d. i ministrit e kishte aktivizuar edhe Planin e Reagimit Kombëtar, ku ai ishte Koordinator i Grupit Ndërinstitucional dhe jo ministri Vitia. Athua ku ka mbetur tash ai plan dhe koordinatori i tij?”, ka shkruar këshilltari i presidentit.