Site icon PrishtinaPress

Kurti duhet të vendosë sot se a do t’i pranojë kërkesat e ndërkombëtarëve, çfarë shenja dha pas takimit me emisarët

Ndërkombëtarët do ta presin vetëm edhe sot kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që të vendosë nëse i pranon apo jo kërkesat e tyre për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Dje u bë e ditur se ai dhe emisarët Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak kanë “disa sfida në marrëdhënie”. Pas tkaimit me dy diplomatët, Kurti nuk u duk se kishte lëvizur nga qëndrimet e tij.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot duhet të vendosë t’i pranojë apo t’i refuzojë tri kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Emisari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak në një takim të gjatë të hënën në mbrëmje, ia kanë kërkuar Kurtit tri gjëra: qetësimin e situatës në veri (që nënkupton edhe tërheqjen e kryetarëve nga objektet komunale për të punuar në zyra alternative), mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialog.

Escobar tregoi të martën në një takim me gazetarë se Kurti ka afat vetëm edhe sot që të pajtohet ose jo me propozimet e tyre.

“Duhet të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajcak duhet t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo”, tha ai. Aty, Escobar ka thënë se “kemi disa sfida në marrëdhëniet me kryeministrin”.

Pas Kosovës dy emisarët ishin në Serbi, ku u takuan edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq nga i cili thanë se po ashtu varet marrëveshja për shtensionim dhe zgjedhje të reja në veri. Escobar ka theksuar se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje duhet të jetë pa kushte.

Ndërkombëtarët e kanë bërë përgjegjëse Kosovën për tensionimin e situatës ditëve të fundit në katër komunat veriore, pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. Për këtë çështje u tha se Kurti s’i ka dëgjuar këshillat e Washingtonit dhe për pasojë, FSK-ja para një jave u përjashtua nga ushtrimi i madh ndërkombëtar i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”.

“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçak të hënën pas takimit me Kurtin.

Escobar tha se në takimin mbi dy orësh shkoi si mik i Kosovës dhe tha se shpreson që tani Kurti do t’i marrë parasysh fjalët e tyre.

“Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”, tha ai.

Escobar ushtroi trysni ndaj kryeministrit Kurti gjatë qëndrimit në Kosovë ndërsa zbuloi se shefi i qeverisë kosovare e ka një draft-statut të Asociacionit por nuk po e shpalos. Po ashtu refuzoi të përgjigjet se kur duhet të themelohet Asociacioni, para apo pas zgjedhjeve në veri, duke thënë se kjo u takon europianëve që e kanë në dorë “sekuencimin”.

“Pozicioni ynë është që marrëveshja duhet të realizohet menjëherë”, tha diplomati amerikan.

Escobar dhe Lajçak të hënën thanë se janë “në fillim të misionit” të tyre, i cili do të zgjaste dy ditë.

“Shpresoj se do njoftojmë për lajme të mira në fund, por nuk kemi arritur atje ende”, tha Lajçak.

Çfarë tha Kurti pas takimit me emisarët?

Zyra e Kryeministrit Albin Kurti njoftoi të hënën se shefi i Qeverisë në takim kishte shprehur “gatishmërinë e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët për deeskalim të gjendjes dhe normalizim të marrëdhënieve”.

Kurti, siç njoftoi ZKM-ja, ka thënë se “rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve” si dhe u ka kërkuar dy të dërguarve që të bëjnë thirrje për ndaljen e dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim për kryesit.

U tha se Kurti ka shprehur gatishmërinë për zgjedhje të reja, por duke thënë se atyre mund t’iu hapë rrugë sundimi i ligjit.

“Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”, u tha në njoftimin e ZKM-së.

Exit mobile version