Site icon PrishtinaPress

Kurti: Do ta rrisë zhvillimin ekonomik dhe rajonal, do të punësohen të rinjtë

Kryeministri Albin Kurti ka folur për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe rajonal në inaugurimin e parkut industrial në Budrikë të Vitisë.

Kurti në fjalën e tij tha se ky vit po përmbyllet “me punë të mira e të dobishme për bizneset tona, përkatësisht për qytetarët tanë, ndërmarrës e punëtorë të vyer”.

“Në veçanti, ky park që sot e inaugurojmë, investim kapital prej 1.7 milionë eurosh nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me hapësirë prej 15.5 hektarë këtu në Komunën e Vitisë do të mbështesë investimet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme të bizneseve tona nga diaspora dhe investime të huaja, mandej do të nxisë veprimtarinë prodhuese dhe përpunuese me teknologji të përparuar, do të ofrojë punësim dhe aftësim për të rinjtë tanë si shtyllë e zhvillimit dhe e transformimit progresist të vendit tonë, si dhe do të rrisë bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe promovimin e tyre për një eko-sistem inovativ, me rritje të konkurrueshmërisë për më shumë eksporte e më pak deficit tregtar”, tha Kurti.

Ai tha se “inaugurime të ngjashme do të kemi në vazhdimësi”.

Më pas, Kurti foli për rritje të qarkullimit të bizneseve, në vazhdën e argumentimit që po përpiqet ta bëj së fundmi se shteti, sipas tij, është pasuruar.

“Me qeverisjen tonë të deritanishme, qarkullimi i bizneseve ka vazhduar të rritet. Gjatë periudhës janar-tetor 2023, ai ka rritur vlerën për 15.3 miliardë euro, apo gati 7% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, tha Kurti.

Exit mobile version