Site icon PrishtinaPress

Kurti dhe Vuçiq te Macron – A priten zhvillime rreth dialogut Kosovë-Serbi gjatë dy ditëve të ardhshme në Paris?

Bashkimi Evropian ka thënë se takimi i ardhshëm, në nivel kryenegociatorësh, do të ketë në fokus hapat e ardhshëm të procesit të normalizimit dhe zbatimin e zotimeve të palëve. Por, çfarë pritet të ndodhë gjatë dy ditëve të ardhshme në Paris, atje ku do të qëndojnë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se më 11 nëntor do të jetë në Paris, kur do të shënohet Dita e Armëpushimit e Luftës së Parë Botërore.

Ai ka paralajmëruar takim me presidentin francez Emmanuel Macron.

Po ashtu ka lënë të kuptohet se do të ketë zhvillime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë atje, por ka thënë se nuk ka diçka të konfirmuar.

“Është një konferencë vjetore e paqes më 11 nëntor, në ditën e armëpushimit që presidenti francez Macron po e organizon. Besoj se do të kem një takim me të. E di që ka pasur disa ide të tjera në lidhje me Prishtinën, por nuk kam asnjë konfirmim deri tash”, ka thënë Vuçiq.

Ai bëri të ditur se do të ketë një “sërë takimesh të rëndësishme në Paris, ndër të tjera një takim dypalësh me kryeministrin belg”.

Tashme në Paris ndodhet edhe kryeministri Albin Kurti, por ku i fundit nuk ka folur ende pë agjendën e tij.

Më herët zyra e tij ka njoftuar se Kurti, para fillimit të Forumit të Paqes në Paris, ka takuar në takime të veçanta përfaqësuesit e dy kompanive franceze të fushës së energjisë së ripërtëritshme, “Voltalia” dhe “TotalEnergies”.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se fillimisht Kurti takoi drejtorin për Zhvillim Ndërkombëtar të “Voltalia”, Gustavo Fernandez, dhe pastaj takoi zëvendëspresidentin për Zhvillimin e Biznesi në EuroAzi për “TotalEnergies”, Antonie Garret, me bashkëpunëtorë.

“Kryeministri nënvizoi interesimin e Kosovës për të mirëpritur investitorë të huaj dhe dedikimin e Qeverisë për krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për ta. Ai i njoftoi përfaqësuesit e “Voltalia” dhe “TotalEnergies” me detajet e Strategjisë së Energjisë 2022-2031, me të cilën synohet që të shtohen 1,200 MW nga burimet e ripërtëritshme. Veçoi projektet ekzistuese dhe të ardhshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga energjia solare dhe e erës, me theks te mundësitë që ofron ankandi aktual për ndërtimin e 100 MW nga energjia solare të shpallur nga Ministria e Ekonomisë, dhe ankandi i ardhshëm i erës me kapacitet deri në 150 MW i cili pritet të shpallet gjatë vitit të ardhshëm, si dhe foli për investimet e planifikuara të Qeverisë në këtë sektor për tri vitet e ardhshme”, thuhet në njoftim.

”Përfaqësuesit e të dy kompanive shprehën mirënjohje për përparimin e Kosovës, përshëndetën edhe mundësitë aktuale dhe të ardhshme të ofruara për investime në sektorin e energjisë së ripërtëritshme dhe procesin profesional dhe transparent. Gjithashtu shprehën gatishmërinë për të vazhduar angazhimin për pjesëmarrje në këto mundësi që ofron Kosova”.

Ndërkohë sot gjatë ditës Bashkimi Evropian ka thënë se takimi i ardhshëm, në nivel kryenegociatorësh, do të ketë në fokus hapat e ardhshëm të procesit të normalizimit dhe zbatimin e zotimeve të palëve.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Peter Stano, ka konfirmuar se takimi do të mbahet të enjten e ardhshme në Bruksel.

“Mund të konfirmojmë se emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian do të organizojë takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel të enjten e ardhshme. Takimi do të fokusohet në hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimin e zotimeve të palëve në dialog”, ka thënë Stano për Kohën.

Takimin e pati lajmëruar ditë më parë, emisari Miroslav Lajçak, që qëndroi për vizitë në Kosovë. Ai takoi kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, përfaqësues të opozitës dhe ambasadorët e huaj në Kosovë.

Në fund të shtatorit, kryeministri Albin Kurti takoi në Bruksel liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, pak ditë pasi në Kosovë erdhi propozimi i ri evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kurti u shpreh se ka kërkuar që të nënshkruhet drafti, si pjesë të pakos me Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Zbatimit, por se kjo është refuzuar nga Serbia.

Pas takimeve, liderët evropianë kërkuan nga Kosova themelimin e Asociacionit dhe nga Serbia jetësimin e njohjes de-facto.

Exit mobile version