Duket se kimia ndërmjet Albin Kurtit dhe Edi Ramës është zhdukur përfundimisht. Dy Kryeministrat, që u takuan këtë javë në Bled të Sllovenisë, i dhanë dorën njëri-tjetrit, por mezi buzëqeshën pak teksa komunikuan mes vete. Deri te ky takim buzë liqenit, dy liderët shqiptarë kanë kaluar nëpër deklarata pakënaqësish, refuzime, e rreshtime në tabore të kundërta. Edhe më tutje, në rrafshin politik, duket se nuk ka shenjë që dy kryeministrat kanë shkrirë akullin mes tyre.
Kryeministri Edi Rama ka thënë disa herë se, në rrafshin personal, ai dhe Kryeministri Albin Kurti mbesin të pëlqyer me njëri-tjetrin. Pas refuzimit të fundit që e mori nga Kurti, ai u ka kërkuar gazetarëve që mos ta paraqesin raportin mes tyre si një telenovelë. Rama ka thënë edhe se ai është sovran në të drejtën e qëndrimeve të tij, siç është sovran edhe Kryeministri Kurti për qëndrimet e veta.
Megjithatë në një intervistë në Kosovë, e ka interpretuar vetë këtë marrëdhënie me një shembull krejt personal. “As në rininë time nuk i kam shku mbrama një Xhuliete indiferente me aq shumë kërkesa, sa i kam bërë personalisht Albinit për këtë takim”, kishte thënë Rama më 6 korrik.
Pas një vere të shënuar me refuzime për takime me njëri-tjetrin, ku Kryeministri i Kosovës është në epërsi, Rama dhe Kurti u takuan fundjavën e fundit të gushtit në Bled të Sllovenisë, në një darkë pune në Forumin Strategjik të Bledit.
Në fotografitë e publikuara nga darka, dukej se Kurtit dhe Ramës u kishte rënë të ulën afër njëri-tjetrin në tryezën ku gjendeshin edhe kryeministrat e tjerë të rajonit. Ndërkaq, Rama në një album të postuar nga darka, ka shtuar edhe një fotografi duke u përshëndetur me Kurtin. Kryeministri i Shqipërisë po mbante njërën dorë në xhep, derisa përshëndeste homologun nga Kosova.
Takimi në Bled, me ftesë të palës sllovene, ndodhi pas disa muajsh prej kur disa prej dallimeve gjithmonë ekzistuese mes Ramës dhe Kurtit, ishin theksuar dukshëm.
Brenda një jave, Kurti ka ngrënë dy darka me kolegët nga rajoni. Ai dhe të tjerët liderë nga Ballkani Perëndimor ishin të ftuar në Athinë, me ftesë të Kryeministrit grek. Nga kjo darkë ishte i përjashtuar Rama për shkak të një përplasjeje që ai dhe Qeveria greke e kanë së fundmi për shkak të arrestimit të kryetarit të Himares, Fredi Belerit, që është i etnisë greke, për vjedhje votash. Në Prishtinë dhe Tiranë disa kritikuan Kurtin që mori pjesë në eventin ku Greqia injoroi Ramën për shkak të një “konflikti nacionalist”. Për Kurtin, ky konflikt nuk ishte arsye për ta refuzuar Mitsotakisin.
Një muaj më parë, në korrik, Kurti, megjithatë, e kishte refuzuar ftesën e Ramës, i cili mblodhi në Tiranë liderët e Ballkanit Perëndimor, për një si parapërgatitje për Samitin e Procesit të Berlinit, që mbahet në tetor. Kjo ishte ftesa e tretë Ramës, e refuzuar nga Kurti, brenda kësaj vere.
Arsyeja e refuzimit, që u tha zyrtarisht nga Zyra e Kurtit, ishte se ai tashmë kishte konfirmuar pjesëmarrjen në Simpoziumin “Symi” në Kretë të Greqisë. Megjithatë, refuzimi i Kurtit shihej si vazhdimësi e inatit që ai kishte me Ramën dhe hakmarrje për anulimin e vizitës së tij në Prishtinë, në qershor.
Me tensionimin e situatës në veri të Kosovës, pas vendosjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale të Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, Rama u rreshtua krah liderëve propernëdimor në dënimin e vendimeve të Kurtit në veri.
Kur aleatët perëndimorë të Kosovës paralajmëruan sanksione ndaj Kosovës, Rama veproi i pari duke anuluar vizitën në Gjakovë, ku do të mbahej mbledhja tradicionale e dy qeverive. Rama kishte kërkuar që takimi të mbahej vetëm mes dy kryeministrave, ministrave të Jashtëm dhe ministrave të Brendshëm të Shqipërisë dhe Kosovës. Kurti nuk pranoi, sepse donte që takimi të kishte formatin normal, ndonëse Rama s’e shihte si situatë normale atë që po kalonte Kosova pas tensioneve në veri. Më vonë Rama ka thënë se nuk ishte e vërtetë që anulimi i mbledhjes së Qeverisë ishte veprim i tij para sanksioneve ndërkombëtare.
Në një intervistë për Televizionin Klan Kosova, më 6 korrik, Rama kishte thënë se ka insistuar të takohej me Kurtin përpara mbledhjes së planifikuar të qeverive, “për t’ia përcjellë disa shqetësime”, porse ai nuk ka pranuar. Pas këtij episodi, Kurti dhe Rama nuk kursenin më njëri-tjetrin as publikisht. Kurti nuk do ta falte Ramën që ia anuloi një nata përpara mbledhjen e përbashkët, që tashmë ishte organizuar.
Në fillim të korrikut, Rama nisi një tur ballkanik, që ndalesë kishte edhe Prishtinën. Por, Kurti e refuzoi edhe kërkesën e dytë të Ramës për takim bilateral, duke thënë se ai duhet të vinte me kabinetin e tij për t’i nënshkruar marrëveshjet e përbashkëta.
“I kërkova të mbajmë mbledhjen e qeverisë që u anulua. Do rrijë 2 ditë dhe 1 natë në Prishtinë në kuadër të Procesit të Berlinit. I kërkova të bënim mbledhje qeverie për të firmosur marrëveshjet. Nuk e takoj nëse nuk do jetë mbledhje e përbashkët e qeverive që u anulua“, tha Kurti.
Kryeministri i Shqipërisë ia dërgoi një ditë më herët të gjitha marrëveshjet e firmosura, por as kjo s’e bindi Kurtin që ta pranojë në zyrën e tij. Rama u takua me Presidenten Vjosa Osmani fare pranë ndërtesës së Qeverisë dhe me Kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
Po atë mbrëmje, Rama i refuzuar dha intervistë për televizionin Klan Kosova, të cilit Qeveria Kurti ia kishte pezulluar licensën, ndërsa zyrtarët qeveritarë dhe partiakë të Kurtit i kishin shpallur luftë. Kur pyetej për raportet me Kurtin, Rama tregonte se i shkruan atij në kanale private të komunikimit, por se i përgjigjet rrallë.